Largohen nga puna 11 shoferë të autoambulancave
Sindikatat kundërshtojnë vendimin
Sindikata e pavarur në Shkodër, në një njoftim zyrtar ka kundërshtuar reformën shëndetësore që po bën Ministria e Shëndetësisë. Sipas kryetarit të sindikatës së pavarur Shkodër, Albert Tuka, Ministria e Shëndetësisë e ka penalizuar Shkodrën duke hequr nga puna 11 shoferë të ambulancave.
Sipas Tukës, dy ditë më parë, një i sëmurë me zemër ka qëndruar 1 orë në trotuar, sepse nuk kishte ambulancë.
“Janë shkelur ligjet, pasi, sipas rregullave, punonjësit duhen lajmëruar 90 ditë më parë për largimin nga detyra.
Këta punonjës janë të mbrojtur nga marrëveshja kolektive trevjeçare dhe nëse punonjësit i drejtohen gjykatës, janë të predispozuar të fitojnë gjyqet. Vendimi për largimin e punonjësve është i padrejtë”. Kreu i sindikatës ka kërkuar tërheqjen e vendimit nga Ministria e Shëndetësisë, pasi kjo po ndikon drejtpërdrejt në shërbimin shëndetësor. Qyteti më i madh verior po mbulohet nga tre ambulanca, ku njëra prej tyre shërben vetëm për dializën. Pesë ambulanca në javë duhet të udhëtojnë drejt Tiranës për të transportuar të sëmurë.
Kështu, nga 18 ambulanca, janë në punë vetëm tre.
Largimi i drejtuesve të automjeteve të ambulancave nga puna është pritur me mjaft rezerva edhe nga drejtues të spitalit të Shkodrës. Sipas tyre, do të jetë tepër e vështirë ta mbajnë situatën nën kontroll për sa i takon plotësimit të kërkesave për kujdes shëndetësor.
#