E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Pretendimet e mbrojtjes së Bares, joligjore

Vazhdon beteja gjyqësore mes prokurorëve dhe avokatit të Aldo Bares, kreut të “Bandës së Lushnjes”, lidhur me pushimin e gjykimit për këtë të pandehur. Prokurorët e çështjes së Aldo Bares i kanë kërkuar togave të zeza rrëzimin e pretendimeve të avokatit të të pandehurit, pasi janë të pambështetura në ligj. Sipas prokurorëve Gent Trenova dhe Besnik Muçi, pretendimet e avokatit se klienti i tij nuk është vënë në dijeni për akuzën apo përfundimin e hetimeve dhe dërgimin e dosjes në gjykatë nuk qëndrojnë. Sipas tyre, i pandehuri është vënë në dijeni për çdo veprim të kryer ndaj tij prej përfaqësuesve të akuzës nëpërmjet avokatit të tij turk, i cili mbronte interesat e Bares në gjykatat turke. “Nëpërmjet prokurorëve ne kemi dërguar në Turqi për të vënë në dijeni avokatin turk të Bares për aktin e njoftimit të akuzës apo dhe përfundimin e hetimeve dhe dërgimin e dosjes në gjykatë. Madje, për të vërtetuar këtë fakt, jemi të gatshëm t’u vëmë në dispozicion komunikimin me avokatin turk të Bares, që nga momenti i arrestimit të të pandehurit dhe deri në momentin e vendimit të ekstradimit drejt Shqipërisë”, - kanë argumentuar prokurorët para togave të zeza. Gjatë seancës së djeshme, prokurorët kanë rrëzuar edhe pretendimin tjetër të avokatit të Bares, për vendimin e shpalljes së pafajshëm për një vepër penale apo parashkrimin e një vepre tjetër penale, lidhur me veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”. Sipas prokurorëve, edhe këto pretendime rrëzohen, pasi nuk gjendemi përpara momentit të parashkrimit të ndonjë vepre penale për të cilën akuzohet i pandehuri. Këto kanë qenë argumentet e dhëna dje nga prokurorët, duke rrëzuar pretendimet e të pandehurit dhe avokatit të tij për pushimin e gjykimit. Do të jetë data 10 shkurt momenti kur trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari do të janë vendimin mbi pretendimet e ngritura nga palët.

Pretendimet e Bares

Avokati Vladimir Meçi, i cili mbron interesat e të pandehurit Aldo Bare, renditi një seancë më parë një nga një kërkesat e tij paraprake që kanë të bëjnë, me pavlefshmërinë e akteve të procedimit penal në ngarkim të Aldo Bares (Alfred Shkurti). Sipas Meçit, procedimi në ngarkim të Bares duhet të pushohet, pasi aktet procedurale të përpiluara nga organi i akuzës në këtë procedim janë absolutisht të pavlefshme. Avokati argumentoi në kërkesën drejtuar gjykatës se Bare është hetuar edhe më parë për akuzat që janë ngritur ndaj tij, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnjë kishte regjistruar procedimin penal nr. 238 të datës 11.10.1999, procedim i cili më pas u transferua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila më datë 09.11.2000 e dërgoi çështjen në ngarkim të të pandehurit Bare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Pra, sipas avokatit Meçi, nga fillimi i procedimit, deri në përfundim të hetimeve paraprake kemi një afat të konsumuar prej 1 viti e një muaji. “Si datë të rifillimit të procedimit penal, por kësaj radhe me numër të ndryshuar 15, ndaj Aldo Bares, Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë merr datën 31.01.2006 dhe ky procedim penal ka zgjatur deri në datën 01.07.2007, pra plot 1 vit e 5 muaj. Por, meqenëse procedimi penal nr. 15 i vitit 2006 nuk është një procedim i ri, por në të vërtetë është një procedim vazhdimi i procedimit penal nr. 238, atëherë afati total i hetimeve është 2 vjet e 6 muaj. Pra, në total afati i hetimeve për Aldo Baren e ka kaluar afatin maksimal të hetimeve, i cili është dy vjet”, - deklaroi avokati, duke shtuar se “ky afat maksimal i hetimeve parashikohet në nenin 324/2 të Kodit të Procedurës Penale, i cili përcakton se kohëzgjatja e hetimeve paraprake nuk mund të kalojë 2 vjet. Të gjitha veprimet procedurale të kryera pas afatit 2-vjeçar janë absolutisht të pavlefshme në kuptim të nenit 128/1/b të Kodit të Procedurës Penale”.

Prokurorët: Akuzat ndaj Bares nuk janë parashkruar

Avokati i të pandehurit Bare deklaroi para gjykatës një seancë më parë se pavlefshmëria absolute e këtij procedimi rrjedh edhe nga fakti se procedimi për akuzat e ngritura ndaj klientit të tij nuk duhet të kishte filluar, pasi këto akuza ose janë gjë e gjykuar ose janë parashkruar. “Konkretisht Bare akuzohet edhe për veprën penale të “krijimit të organizatës kriminale” dhe të “shkatërrimit të pronës me zjarr”. I bëjmë me dije gjykatës dhe njëkohësisht prokurorëve se me vendimin nr. 289, datë 21.12.2001, Gjykata e Apelit Durrës e ka shpallur të pafajshëm Aldo Baren për veprën penale të “krijimit dhe pjesëmarrjes në bandë të armatosur”, vendim ky i lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Lartë Tiranë”, - deklaroi para gjykatës avokati Meçi. Ndërsa, për sa i përket veprës penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”, avokati u shpreh se neni 151/1 i Kodit Penal parashikon dënimin deri në 5 vjet për këtë vepër penale. Meqenëse vepra penale ka ndodhur në vitin 1998 dhe në momentin kur ka ndodhur është klasifikuar nga organi procedues sipas nenit 151/1 të Kodit Penal, sipas avokatit, për rrjedhojë ky organ nuk mund të rifillonte hetime për këtë vepër penale në vitin 2006. “Përpjekja e organit procedues për të klasifikuar këtë vepër sipas nenit 151/2 të Kodit Penal, është jo vetëm e gabuar, por edhe antiligjore”, - u shpreh avokati. Sipas tij, nuk mund të bëhet rikualifikim i veprës penale në vitin 2006, pasi organi procedues nuk mund të kryente asnjë veprim hetimor pas afatit 5-vjeçar, pra pas vitit 2003 nuk mund të kryhej asnjë veprim hetimor. Ndërkohë që, sipas avokatit Meçi, Aldo Bare është marrë si i pandehur në datën 11.06.2007. Por, sipas përfaqësuesve të akuzës, këto pretendime të avokatit Meçi nuk qëndrojnë, pasi Bare nuk është duke u gjykuar për vepra penale të gjykuara, ndërkohë që nuk gjenden përpara momentit që këtij të pandehuri t’i jenë parashkruar veprat penale për të cilat akuzohet. “I pandehuri nuk gjykohet për veprat të gjykuara, ndërkohë që veprat penale për të cilat akuzohet nuk i janë parashkruar”, - u shprehën prokurorët në pretendimet e tyre.

Letra

I pandehuri Aldo Bare i ka dërguar dje trupit gjykues një letër, ku i shpjegonte jo vetëm arsyet e mospranisë së tij në proces dhe vijimin e gjykimit në mungesë të tij, por edhe një sërë ankesash. Bare, i cili nuk u ndje mirë një seancë më parë dhe kërkoi të largohej nga seanca, nuk u paraqit në seancën e djeshme dhe kërkonte nga gjykata të merren masa, pasi ishte i sëmurë dhe nuk po mjekohej nga burgjet. Sipas tij, ishin duke iu shkelur të drejtat, një prej të cilave ishte ajo e takimit me avokatin e tij. I pandehuri i kërkonte gjykatës të merren masa për trajtimin e tij, pasi në paraburgim nuk e lejonin të takohej me avokatin e tij dhe nuk kishte mundësi komunikimi me të për të vijuar mbrojtjen e tij. Madje, për këto kushte në burg, i pandehuri i është drejtuar nëpërmjet avokatit të tij edhe institucionit të Avokatit të Popullit, i cili ka kërkuar të merren masa. Në deklaratën e të akuzuarit ishte vënë shënimi nga mjeku i burgut, i cili vërtetonte se Bare ka probleme shëndetësore, por ka mundësi për t’u paraqitur në gjyq. Pasi ka lexuar pretendimet e të pandehurit, si dhe shënimin e mjekut të paraburgimit 313-të, gjykata rrëzoi kërkesën e Bares dhe vendosi të vijojë gjykimi i tij në mungesë.
“Nëpërmjet prokurorëve ne kemi dërguar në Turqi për të vënë në dijeni avokatin turk të Bares për aktin e njoftimit të akuzës apo dhe përfundimin e hetimeve dhe dërgimin e dosjes në gjykatë. Madje, për të vërtetuar këtë fakt, jemi të gatshëm t’u vëmë në dispozicion komunikimin me avokatin turk të Bares, që nga momenti i arrestimit të të pandehurit dhe deri në momentin e vendimit të ekstradimit drejt Shqipërisë”, - kanë argumentuar prokurorët Trenova e Muçi para togave të

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›