E Diel, 1 Nëntor 2026

Irak, 5 të vdekur nga shpërthimi i një makine bombë në Bagdad

BAGDAD- Të paktën pesë irakianë u vranë sot nga shpërthimi i një makine bombë gjatë kalimit të eskortës së një kreu të policisë në veri të Bagdadit, njoftuan burime të sigurisë dhe mjekësore.

"Pesë persona u vranë dhe 10 u plagosën nga shpërthimi i një makine bombë në fshatin Al-Hamdanija në veri të qytetit Duluija", deklaroi një nënkolonel i policisë së qytetit Samarra.

''Të gjitha viktimat ishin civilë'', shtoi ai.
"Shpërthimi ndodhi rreth orës 08:30, ose 05:30 GMT me kalimin e eskortës së kolonelit Qandil Khalil, kreu i policisë së qytetit Duluija, rreth 70 kilometra në veri të Bagdadit", tha ai.
Një burim mjekësor i spitalit të qytetit Duluija konfirmoi këtë bilanc.
"Për më tepër, një person u vra nga shpërthimi i një bombe magnetike të vendosur në makinën e tij në qendër të Bagubas", theksoi nënkoloneli i policisë.
Në Mosul, presidenti i universitetit tha se pesë nga truprojat e tij dhe shoferi i tij u plagosën nga një granatë e hedhur në drejtim të tij në Universitetin e Mosulit, në veri të vendit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›