E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvrasja e 77 vjeçarit, protesta në Athinë dhe Selanik

ATHINE - Greqia është tronditur nga vetëvrasja e pensionistit 77 vjeçar, mëngjesin e së mërkurës në qendër të Athinës. Mjaft njerëz u mblodhën pasdite, pranë vendit ku i moshuari fatkeq qëlloi veten dhe vendosën lule. 

Thirrja për grumbullimin e tyre, u përhap nëpërmjet rrjeteve sociale të internetit. Në mesditë, në facebook u krijua një faqe me titull "Të gjithë në sheshin Sintagma (Athinë), për të mos u mësuar me vdekjen" dhe "Të gjithë në Kamara (Selanik), për të mos u mësuar me vdekjen”.

Njerëzit protestuan përpara parlamentit në Athinë, ku nuk munguan edhe episodet. Ata lëshuan kokteile molotov mbi policine dhe kjo e fundit u përgjigj me kimkate. Protesta pati edhe në qytetin e Selanikut. 

Për ngjarjen reagoi edhe kryeministri i Greqisë Lukas Papadhimos. "Është tragjike që një qytetar i yni t’i japë fund jetës së tij. Në këto kohë të vështira për shoqërinë tonë, ne duhet të gjithë, shteti dhe qytetarët, të mbështesim njerëzit e dëshpëruar pranë nesh", tha kryeministri Lucas Papadhimos.

Ngjarja 

Një ngjarje tragjike ka tronditur sot rreth orës 09.00 të mëngjesit kryeqytetin grek, në qendër të të cilit një 77 vjecar vendosi t’i japë fund jetës së tij.

Në sheshin më të populluar të Athinës, Sintagma, rreth 50 metra nga parlamenti grek, pranë shkallëve të metrosë, një burrë i moshuar i dha fund jetës së tij me një plumb në kokë, para syve të kalimtarëve. 

Policia dhe ambulanca mbërritën menjëherë në vendngjarje. Policia nisi hetimet për të zbardhur detajet e ngjarjes, por persona që u ndodhën në ato momente afër 77 vjeçarit, thanë se fjalët e fundit të viktimës ishin: "Do iki, që mos iu le borxhe fëmijëve". Dëshmitarët thanë gjithashtu se në momentin që u dëgjua e shtëna e armës, kalimtarët u tmerruan. Ora që zgjodhi viktima për t’u vetëvrarë, është ora më e populluar në sheshin Sintagma në Athinë. 

Një kushtet e krizës financiare që po kalon Greqia dhe për shkak të masave të ashpra që rëndojnë mbi popullatën, është rritur mjaft numri i vrasjeve dhe tentativave për vetëvrasje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›