Irak, kleriku antiamerikan kërkon zgjedhje të reja

Në Irak, blloku politik i udhëhequr nga kleriku shiit anti-amerikan, Muqtada al-Sadr, bëri thirrje për shpërndarjen e parlamentit dhe për zgjedhje të parakohshme, një hap që mund ta shkallëzojë më tej krizën mes sekteve në vend.
Përkrahësit e al Sadrit thonë se zgjedhjet e reja janë mënyra e vetme për të zgjidhur problemet politike që po thellohen dhe që kërcënojnë ndarjen e vendit. Sipas tyre, qeveria e tanishme "nuk është në gjendje t`i zgjidhë ato”.
Tensionet u rritën pas urdhrit të kryeministrit shiit, Nouri al-Maliki, për arrestimin e nënpresidentit suni, Tariq al- Hashemi, i dyshuar se drejtonte një skuadër ekzekutimesh.
Hashemi e mohoi akuzën dhe u arratis në rajonin autonom të Kurdistanit në Irakun verior për t`iu shmangur arrestimit. Maliki gjithashtu i kërkoi parlamentit të shkarkojë një zëvendës kryeministër sunit.
Kriza politike vjen në klimën e një vale shpërthimesh në kryeqytetin Bagdat, sulme që dyshohet se janë ndërmarrë nga ekstremistë sunit të lidhur me Al-Kaedan