E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri për kalimin e kufirit: Tarifat e larta, të përkohshme

Përfaqësues të kompanive të sigurimeve nga Kosova dhe Serbia janë takuar në Vjenë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, për të diskutuar rreth tarifave të larta që qytetarët janë të detyruar t`i paguajnë me rastin e kalimit të kufijve nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëkohësisht shefe e ekipit negociues me Serbinë, Edita Tahiri deklaroi se tarifat e sigurimeve për lëvizjen e lirë do të jenë më të lira dhe se procedurat do të lehtësohen.

“Bisedimet kanë filluar. Javën e kaluar, kompanitë apo byrotë e kompanive të sigurimeve të Kosovës dhe Serbisë, së bashku me palën e tretë, BE-në, janë takuar në Vjenë pikërisht për këtë çështje, për të diskutuar arritjen e një marrëveshjeje komerciale, e cila në fakt do të ndjekë modelin që ka Kosova me Shqipërinë dhe me Maqedoninë.

Unë jam e bindur se një marrëveshje e tillë do të jetë shumë shpejt, pasi që edhe pala serbe ka dhënë sinjale gatishmërie për këtë zgjidhje”,-ka theksuar Tahiri. Ajo ka thënë se qeveria e Kosovës që në fillim nuk ka qenë dakord për këto tarifa kaq të larta, pasi një gjë e tillë e vështirëson lirinë e lëvizjes.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›