Irak, korriku, muaji më i përgjakshëm që prej 2008-s
Me 535 të vdekur, si pasojë e dhunës që mbizotëron në vend, mes të cilëve 396 civilë, korriku ka qenë për Irakun muaji me më shumë viktima që prej dy vjetësh. Kjo është ajo që ka dalë sot nga ministritë irakiane të Shëndetësisë, Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme. Shifrat e dhëna tregojnë një rritje të rasteve të dhunshme në vend, ndërsa Iraku, thuajse pesë muaj pas zgjedhjeve legjislative të marsit, është ende pa qeveri, dhe SHBA-të po planifikojë tërheqjen graduale të trupave. Përveç civilëve të vrarë, nga sulmet kanë humbur jetën edhe 89 policë dhe 50 ushtarë irakianë. Vendi nuk ishte përballur me një numër të tillë viktimash që prej majit të 2008-s, ku kjo shifër shkoi në 563. Po në korrik kanë mbetur të plagosur 1043 persona: 680 civilë, 198 policë dhe 165 ushtarë, bilanci më i lartë i këtij viti. Forcat e sigurisë, sipas të dhënave të tre ministrive, kanë vrarë 100 rebelë dhe kanë arrestuar 950 të tjerë. Për sa u përket trupave amerikane, katër ushtarë amerikanë humbën jetën në muajin e shtatë të vitit, nga të cilët vetëm njëri u vra në një sulm, në rajonin e Diyala-s në veri të Bagdadit. Nga janari i këtij viti, sipas një bilanci të bazuar te të dhënat zyrtare, janë vrarë 2399 irakianë. Vetëm në dy javët e fundit, si pasojë e shpërthimeve të autobombave në vend, numri i të vdekurve i ka kaluar 70 vetat.
#