E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prizreni nis festën e filmit

Festivali Rreth 150 filma do të shfaqen deri më 7 gusht

Shumë artdashës, filmbërës, regjisorë të vendit e ndërkombëtarë u takuan mbrëmjen e së shtunës në kinemanë e hapur “Lumëbardhi” në hapjen solemne të edicionit të nëntë të “Dokufest”, festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër në Prizren.

është ky festivali më i madh në vend, i cili këtë vit sjell rreth 150 filma. Mes tyre do të ketë filma që tashmë kanë fituar çmime prestigjioze ndërkombëtare, si “Oskar”; filma të festivaleve po ashtu të njohura si ai i Kanës dhe të Berlinales; e nuk përjashtohen edhe produksione të tjera të njohura botërore.

Në prani të një publiku të konsiderueshëm, hapja e “Dokufest” në kinemanë “Lumëbardhi” është bërë me video-performancën e artistit Maksut Vezgishi “Un’ jam send kombëtar”. Pas performancës, festivalin e ka shpallur të hapur Aliriza Arënliu, Drejtor i Përgjithshëm i “Dokufestit”. Nata solemne vazhdoi me shfaqjen e filmit “Info Eterniti” (Drejt përjetësisë) të regjisorit Michael Madsen. Në kinemanë “n’Lum”, për të kujtuar veprën e aktorit Bekim Fehmiu, në orën 22:30 u shfaq filmi “Mbledhësit e puplave”. Ndërsa në një tjetër kinema të hapur në Kala është promovuar filmi “Welcome Europa”, i regjisorit Bruno Ulmer.

Festivali vazhdon rrjedhën e tij me shfaqjen e filmave dhe dokumentarëve këtë vit me një kinema më shumë. Janë gjashtë kinema në dispozicion për artdashësit, të cilat do të shfaqin filma për shtatë ditë rresht, deri në natën finale, e cila do të jetë më 7 gusht. Risi e edicionit të sivjetshëm të “Dokufestit” do të jetë retrospektiva e regjisorit jugosllav, Zelimir Zilnik, dhe ajo e regjisorit nga Filipinet, Khvan de la Cruz.

Gjatë këtyre ditëve janë një sërë filmash që do të shfaqen për publikun, ndërkohë që Prizreni do të presë personazhe të njohura të kinemasë botërore.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›