Taksistët: Paguajmë taksat, por po falimentojmë
Taksitë pirate të palicencuara në transportin e udhëtarëve nga Kukësi në Tiranë dhe anasjelltas, përbëjnë ende një problem shqetësues. Dy javë më parë, dhjetëra shoferë furgonësh të tipit 8+1, që janë të licencuar dhe paguajnë taksat përkatëse, bënë një grevë disa ditore në shenjë proteste përpara bashkisë së qytetit. Por greva e shoferëve nuk zgjoi kurrfarë interesi, duke treguar se shteti ka braktisur interesat ligjore të atyre që e mbajnë në “këmbë”, të taksapaguesve, apo në rastin konkret të shoferëve taksi. Në stacionin e furgonëve kalon herë pas here ndonjë makinë policie, por askush prej tyre nuk e siguron disiplinën më minimale në këtë mes. Ylber Bilali, një taksist i vjetër nga Bicaj, thotë se për shërbimin që kryen i ka paguar shtetit të gjitha taksat, madje është edhe i kualifikuar për kryerjen e një shërbimi të tillë. “Unë nuk mund ta zgjidh në mënyrë private këtë çështje, t’u them shoferëve të palicencuar mos m’i merr pasagjerët. Këtë gjë duhet ta bëjnë institucionet, përndryshe ne rrezikohemi të falimentojmë”, tha Bilali. Shkak për këtë është një fakt i thjeshtë, ku siç mësohet nga njerëzit që udhëtojnë me këta furgonë, taksitë pirate mbajnë një çmim më të ulët, dhe në këtë rast pasagjerët preferojnë të udhëtojnë më lirë. Kjo përbën një kontradiktë jo aq të thjeshtë për t’u zgjidhur, por shoferët e licencuar thonë se nuk mund të punojnë nën kosto në kohën kur shteti nuk u siguron, së paku, mbrojtje ndaj shkelësve të rregullit.
Në stacionin e udhëtarëve në Kukës shihen të rreshtuar, veçanërisht në mëngjes, dhjetëra automjete të palicencuara, që marrin pasagjerë në linjën e Tiranës, ndonëse nuk paguajnë asnjë taksë për ushtrimin e këtij shërbimi. Shoferët e furgonëve taksi u janë ankuar me anë të një letre edhe drejtuesve të bashkisë, drejtorisë së policisë dhe institucioneve të tjera, duke kërkuar respektimin e rregullit dhe mbrojtjen e punës së tyre nga abuzimet. Ata kërkojnë zbatimin e një rregulli strikt edhe për stacionin e Tiranës në drejtim të Kukësit. Ndërsa nga ana tjetër ata tregojnë se policia nuk ka qenë asnjëherë e gatshme t’i ndihmojë. “I kemi kërkuar ndihmë bashkisë, si dhe drejtorisë së policisë, por nuk na kanë dhënë asnjë ndihmë, ka ardhur vetëm një grup efektivësh sa për të na mashtruar, dhe kanë ikur prapë pa marrë asnjë masë për kundërvajtësit”, tha taksisti Qenan Zeneli, nga Kukësi. Një shofer tjetër, duke u ankuar se ky grup interesi ndodhet i braktisur, tha se alternativa e vetme është të shesë furgonin dhe të gjejë një punë tjetër, ose t’i drejtohet emigracionit për të mbijetuar. “Siç duket, ne që zbatojmë rregullin, nuk kemi vend këtu. Po të mos paguanim taksat, do të na ndëshkonin menjëherë. Nuk dimë ç’po ndodh dhe çfarë zgjidhje do të marrë shqetësimi ynë”, sqaroi ai. Qenani tha se abuzuesit janë bërë shpesh herë shkaktarë të aksidenteve, madje si pasojë e tyre kanë humbur jetën disa persona.
Aktualisht udhëtimi nga Kukësi për në Tiranë me autobus për një pasagjer kushton 5 mijë lekë të vjetra, shtrenjtë krahasuar me Shkodrën apo me linja të tjera të përafërta. Abuzimi që ndodh me pasagjerët justifikohet nga drejtuesit e linjës me punën në të zezë që bëjnë taksitë pirate, që “shterojnë” punën e tyre të ligjshme. Nga ana tjetër, çmimi i udhëtimit me furgon është 6 mijë lekë të vjetra.
Specialistët tregojnë se çmimi real për një pasagjer që dëshiron të udhëtojë nga Kukësi për në Tiranë do të ishte 3 mijë lekë me autobus dhe 5 mijë lekë me furgon. Por, siç duket institucionet kompetente nuk janë ndërgjegjësuar aq sa për të mbrojtur interesat e masën udhëtare. “Zyrtarët udhëtojnë me mjete të shtetit, kështu që nuk kanë pse të shqetësohen për ne”, tha një pasagjer të cilit i takonte ta bënte shpesh herë këtë rrugë.
#