E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irak, zhvillohen zgjedhjet lokale

Rreth 15 milionë irakianë iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur këshillat e tyre lokalë, nën masa të larta sigurie nga policia dhe ushtria, në zgjedhjet e para që prej vitit 2005 dhe pas rënies së dhunës. Nga Mosuli, që është bastioni i fundit urban i Al Kaedës në veri të Irakut, në Fao, në ekstremin jugor, në brigjet e Gjirit Persik, duke kaluar nga Ramadi, në portat e shkretëtirës dhe në Bagdad, qendrat e votimit u hapën normalisht në orën 07:00, sipas asaj lokale. 6.500 qendrat e votimit priten të mbyllen në orën 17:00. Këto votime lokale kanë vlerën e një testi për stabilizimin e vendit dhe popullaritetin e kryeministrit Nuri Al Maliki, lista e të cilit "Koalicioni për shtetin e të drejtës" është favorite për fitimin e zgjedhjeve. Votimet shihen si një test për stabilitetin e Irakut, përpara zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në fundin e 2009-ws. "Kjo është një mundësi e madhe për ne, një ditë madhështore, që na lejon të votojmë të lirë, pa asnjë presion apo ndërhyrje", u shpreh Hamid, një votues irakian. Një tjetër votues tha se nuk kishte vjetur fare natën e kaluar në mënyrë që të jetë ndër të parët që do të votonin. "Shpresoj që këto zgjedhje të jenë të suksesshme dhe transparente", tha Adnan al Xhanabi. Ndërkohë masat e sigurisë janë shumë të forta dhe mijëra vëzhgues po monitorojnë procesin. Sipas korrespondentëve të BBC-së në Irak, votuesve iu duhet të kalojnë përmës pikave të rrepta të kontrollit në mënyrë që të arrijnë në qendrat e votimit, shumica e të cilave janë të vendosura nëpër shkolla. Teksa nuk kanë munguar as incidentet në këto zgjedhje. Policia vendase ka bërë të ditur se tre predha mortajash ranë pranë qendrave të votimit në qytetin e Tikritit. Policia njoftoi se një automjet u përfshi nga flakët në sulmet me mortajë në Tikrit, vendlindjen e diktatorit Sadam Hysein, që ndodhet 150 kilometra në veri të Bagdadit. Sulmet u kryen pavarësisht nga masat e shumta të sigurisë. Mijëra policë po ruajnë qendrat e votimit në të gjithë vendin, qarkullimi i automjeteve është ndaluar në rrugët e qyteteve, aeroportet dhe kufijtë janë mbyllur dhe votuesit kontrollohen për lëndë shpërthyese. Ndërkohë që edhe kryeministri i vendit Al Maliki dhe ministrat e kabinetit të tij kanë hedhur në kuti votën e tyre. Kryeministri Al Maliki është shprehur se procesi zgjedhor është zhvilluar normalisht. Rreth 14 400 kandidatë janë në garë për 440 vendet e këshillave lokalë në vend.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›