E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irak,konfirmohet vdekja e dy pengjeve britanikë

Dy pengjet britanikë të marrë peng në Irak në vitin 2007, janë konfirmuar të vdekur dhe trupat e tyre u janë dorëzuar zyrtarëve të Britanisë së Madhë në Bagdad, kanë bërë të ditur burime qeveritare britanike. Dy viktimat, identitetet e të cilëve nuk janë bërë të ditura, ishin midis pesë britanikëve që u zunë robër nga një grup militantësh shiitësh të armatosur brenda godinës së ministrisë së Financave gjatë një sulmi të ndodhur në kryeqytetin iraken. Sekretari i Jashtëm britanik, David Miliband ka deklaruar së fundmi se tre pengjet e tjerë ishin në "rrezik të madh", pasi autoritetet e Irakut dorëzuan mbetjet njerëzore të dy viktimave. Tashmë trupat do të identifikohen nga familjarët e tyre. Ndërkaq nuk janë dhënë detaje apo të dhëna se rreth ku, kur dhe në ç'rrethana kanë vdekur dy britanikët. Sipas raportimeve të fundit, ende të pakonfirmuara të mediave, mësohet se njëri prej pengjeve mund të ketë vrarë veten një vit më parë, ndërsa besohet se njëri prej pengjeve mund të jetë Peter Moore, një instruktor kompjuteri. Katër të tjerët e rrëmbyer ishin truprojat e tij, që punonin për kompaninë kanadeze të sigurisë, GardaËorld. Një zëdhënës i kompanisë tha se ai ishte i vetëdijshëm për raportet e konfirmimit për dy të vdekurit, por nuk ka bërë asnjë koment të menjëhershëm për ngjarjen. Pengmarësit kanë publikuar disa video të personave që kanë rrëmbyer. Në njërin prej tyre, Peter Moore, njëri nga pengjet i bën thirrje autoriteteve britanike të mundësojnë lirimin e tyre në këmbim të lirimit të nëntë irakenëve. Në një deklaratë të dhënë në fundjavë, kryeministri britanik Gordon Brown tha se ishte shumë i hidhëruar dhe i shqetësuar për fatin e pengjeve. Britania dërgoi rreth 45.000 ushtarë për t'iu bashkuar forcave amerikane në ndërhyrjen në Irak në vitin 2003, për të rrëzuar regjimin e ish presidentit Saddam Hussein. Ndërsa tani Britania ka vetëm 500 trupa ushtarake në Irak.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›