E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irak,vriten 55 persona nga sulmi vetëvrasës

Të paktën 55 persona janë vrarë pas një shpërthimi që dyshohet se ishte sulm vetëvrasës në një restorant në qytetin e Kirkukut në Irak. Rreth 102 persona njoftohet se janë plagosur gjatë shpërthimit që ndodhi në një restorant rreth 5 km në veri të qytetit. Shkaku i sulmit nuk është ende i qartë, por Kirkuku është një qytet me popullsi të përzierë kurde, arabe dhe turke. Shpërthimi ndodhi në një ditë pushimesh kur myslimanët festojnë akoma Bajramin e Vogël. Policia deklaroi se kur ndodhi sulmi, disa familje po drekonin në restorantin Abdullah, që ndodhet në rrugën kryesore që lidh qytetin me Irbilin. Zyrtarët thanë se më shumë se disa dëshmitarë kishin deklaruar se një sulmues vetëvrasës kishte aktivizuar lëndët shpërthyese që i kishte vendosur në trup, në mes të restorantit. Ka dhe njoftime të pakonfirmuara se në restorant në kohën e sulmit ndodheshin dhe zyrtarë kurdë duke ngrënë drekë me udhëheqës fisnorë arabë. Një restorant i së njëjtës firmë në Kirkuk u sulmua vitin e shkuar me një autobombë. Gjatë sulmit të atëhershëm humbën jetën 25 persona. Sipas BBC-së, edhe pse niveli i dhunës në Irak këtë vit ka shënuar rënie dramatike, zona rreth qyteteve veriore të Kirkukut dhe Mosulit mbetet e rrezikshme. Mosuli është bërë fortesë e kryengritësve të frymëzuar nga Al Kaeda, të cilët janë dëbuar nga zonat e tjera të vendit. Sipas BBC-së, në Kirkuk, situata është kaq e tensionuar, sa atje nuk do të mbahen zgjedhjet rajonale, të planifikuara të mbahen në pjesën më të madhe të vendit vitin e ardhshëm. Irakianët arabë, kurdët dhe turkmenët etnikë kërkojnë të marrin në dorë administrimin e qytetit të pasur me naftë. Qyteti ka popullsi me shumicë kurde dhe për këtë arsye kurdët besojnë se qytetin duhet ta kontrollojnë ata, edhe pse ai shtrihet jashtë enklavës gjysmë autonome kurde të veriut. Ndërsa arabët dhe turkmenët thonë se qyteti duhet të jetë nën kontrollin e qeverisë së Bagdadit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›