E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi,interpelancë para Kuvendit

Kryeministri kosovar Hashim Thaçi ka dalë në interpelancë para Kuvendit të Kosovës me kërkesën e Grupit Parlamentar të partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Europian. Deputeti i AAK-së, Ardian Gjini numëroi vërejtjet esenciale te raportuesve që kanë të bëjnë me pothuajse të gjitha fushat e trajtuara, duke përfshirë edhe pozitën e mediave në kohën e kësaj qeverie. Gjini akuzoi qeverinë e Kosovës për mungesë serioziteti në çështjet të cilat kritikohet qeveria në raportin e progresit të KE-së. Ai tha se Qeveria e ka humbur shansin e për të treguar se Kosova mund të qeverisë me vetveten. Gjini në veçanti u ndal në luftën kundër korrupsionit dhe kërcënimit ndaj mediave nga ana e institucioneve, të cilat, sipas tij do të pengojnë shumë integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Kryeministri Thaçi mbrojti punën e qeverisë së Kosovës dhe vlerësoi raportin e progresit i KE-së, për Kosovën, kundrejt kritikave për disa sfera të caktuara. "Do t'i shqyrtojmë rekomandimet dhe të marrim aktivitete për shqetësimet e ngritura në raportin e progresit të Komisionit Europian" theksoi Thaçi. Ai tha se raporti i progresit të Komisionit Europian është më i avancuar se ai i vitit të kaluar dhe e rendit Kosovën në vendet më pak të korruptuara. "Viti që po lëmë pas, është viti i realizimit të pritjeve të qytetarëve të Kosovës dhe këto të arritura janë rezultat i punës së përbashkët të të gjithëve", tha në vazhdim Thaçi. Thaçi njëkohësisht u bëri thirrje të gjitha partive të jenë pjesë e punës së përbashkët për integrimin e vendit në strukturat europiane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›