E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi bojkoton takimin në Novi Sad të Serbisë

 

Presidenti, Bamir Topi ka bojkotuar pjesëmarrjen në një samit të liderëve të Evropës Qendrore të organizuar në Novi Sad të Serbisë, edhe pse ishte i ftuar zyrtarisht në takim. Presidenca serbe nuk e ka komentuar mungesën e Presidentit shqiptar, Topi, i cili dërgoi një notë zyrtare tek institucionet serbe, duke sqaruar se mungesa e tij ishte për shkak të axhendës së ngjeshur politike të këtyre ditëve. Por pas takimit të presidentëve të rajonit në Maqedoni me rastin e inaugurimit të kreut të ri maqedonas dhe qëndrimit që mbajti Presidenti Topi, duke argumentuar se në takime rajonale duhej të ishte e pranishme patjetër edhe Kosova, dhe pritjes së presidentit maqedonas, Ivanov, në vilë private dhe jo presidencë (siç tentoi të bënte ai me presidentin Sejdiu), kanë nisur të qarkullojnë zëra se mungesa e presidentit është një formë bojkoti për mosftesën e Presidentit Sejdiu edhe në këtë takim tjetër rajonal. Presidenti nuk mund të ketë pritur që Serbia, pas “presionit” ndaj liderit të ri maqedonas, George Ivanov për të mos ftuar Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, të jetë vetë vendi që fton në takim rajonal presidentin e një vendi që ka synim ta shkrijë brenda territorit të saj. Dhe nëse komentet e mbetura pa autor mbi bojkotin për shkak të Kosovës janë të vërteta, Presidenti Topi ka treguar se Shqipëria di të vlerësojë dhe respektojë vendimet dhe qëndrimet e veta për shtetet e tjera, siç ka shprehur shpesh herë edhe vetë presidenti, mbështetjen e fortë për Kosovën dhe meritën e saj për të qenë shtet sovran me të drejta të plota. Presidenti Topi nuk ka preferuar të komentojë mbi deklaratat në media për ‘bojkotin’ e takimit për shkak të Kosovës. Takimi në Serbi i dedikohej kapërcimit të sfidës 3E, Ekonomi-Energji-Integrim Evropian, të programuar nga 18-21 qershori. Në takim, me presidentin bujtës, Boris Tadiç, pritet të jenë presidentët e Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Moldavisë, Italisë, FYR-Maqedonisë, Malit të Zi, Polonisë, Sllovakisë, Sllovenisë dhe Ukrainës, si dhe kryetari i presidencës së Bosnje-Hercegovinës.

Ahtisari: Serbia të kuptojë se Kosova është shtet
Nobelisti i paqes dhe ish-kryenegociatori i statusit të Kosovës, Marti Ahtisari, është shprehur se Serbia duhet të përballet me realitetin dhe të merret me institucionet e Kosovës, nëse dëshiron të hyjë në BE. I njohur si arkitekti i planit për pavarësinë e Kosovës, Ahtisari komentoi për “Reuters”, se “për të hyrë në BE, Serbia duhet të mësojë të jetojë me fqinjin, që është shtet i pavarur, siç është Kosova”. Ai i bëri thirrje qeverisë në Beograd të heqë dorë nga e kaluara dhe të ecë përpara. “Mendoj se asnjë shtet në botë nuk mund të zhvillohet në mënyrë të duhur, nëse sinqerisht nuk e shikon të kaluarën dhe pranon se gjërat kishin shkuar gabimisht”, tha Ahtisari. Ai u shpreh se është “shumë i zhgënjyer nga sjellja” e 5 anëtarëve të BE-së, që ende nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›