E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iran, arrestohen katër persona për komplot

Autoritetet iraniane kanë arrestuar katër shtetas të tyre për përfshirje në një komplot amerikan për të rrëzuar qeverinë Islamike. Zëdhënësi i gjyqësorit iranian Alireza Jamshidi deklaroi në një konferencë për shtyp se të katërt këta persona janë ndaluar në Teheran dhe do të gjykohen së shpejti. Ai tha se të katërt po punonin nën mbikqyrjen e CIA-s Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës dhe financoheshin nga qeveria amerikane. Jamshidi ka shtuar se ata janë përpjekur që të rekrutojnë edhe persona të tjerë në Iran dhe janë trajnuar brenda dhe jashtë vendit në teknika për minimin e sistemit. Zyrtarët iranianë kanë akuzuar shpesh armiqtë e tyre perëndimorë për rrëzimin e Republikës Islamike përmes një revolucioni të pastër. Arrestimet janë kryer vetëm një javë përpara se Barak Obama të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Edhe Presidenti në ikje i SHBA-së Xhorxh Bush i ka bërë thirrje Obamës që të shtojë përpjekjet diplomatike për bisedime direkte me liderët iranianë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin pas revolucionit Islamik të vitit 1979, e akuzojnë këtë të fundit se kërkon të ndërtojë bomba bërthamore, akuzë të cilën iranianët e kanë mohuar gjithmonë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›