Ukraina bllokon rrugën e gazit

Gjiganti rus i gazit 'Gazprom' ka bërë të ditur se vetëm pak orë pasi Moska vendosi të riniste furnizmin, Ukraina ka bllokuar rrugët e gazit. Kontradikta mes Moskës dhe Kievit është thelluar sërish, ndërsa dy kompanitë respektive 'Gazprom' dhe 'Naftogaz' akuzojnë njëra-tjetrën për ndalimin e furnizimit. Zv/drejtori i 'Gazprom' Aleksandër Medvedev tha se Ukraina ka vendosur të mos e kalojë gazin në perëndim, duke hedhur në koshin e mbeturinave, marrëveshjet e arritura. "Ne menduam dje se dera për gazin rus ishte e hapur, por kjo është sërish e mbyllur nga ukrasinasit", tha në një konferencë për shtyp Aleksander Medvedev. Nga ana tjetër, kompania ukrainase 'Naftogaz' është mbrojtur duke thënë se nuk mundet të pompojë gaz për Europën, pasi Moska ka ndryshuar rrugët e kalimit të tij, akuzë kjo e hedhur poshtë nga Rusia. Pavarësisht mosmarrëveshjeve mes Moskës dhe Kievit, është Europa ajo që po i vuan pasojat, ndërsa të paktën 15 shtetet europiane janë në fund të rezervave të tyre. Komisioni europian është ankuar për mungesën e furnizimit me gaz. Brukseli ka akuzuar Mosken dhe Kievin per faktin se vëzhguesit e BE-së nuk kanë patur ende akses në centralet ku kalon gazi. Ndërkohë që Presidenti i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso, i ka telefonuar kryeministrit rus, Vladimir Putin, për të shprehur keqardhjen e tij për bllokimin e furnizimit. Barroso është shprehur i zhgënjyer nga ky vendim i ri, i cili do të sjellë sërish probleme në kulmin e stines se dimrit, kur temperaturat janë në minimumin e tyre.