E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olmert: Bush-i urdhëroi Rice për abstenimin e rezolutës për Gazën

Kryeministri izraelit Ehud Olmert është shprehur se Presidenti amerikan në ikje Xhorxh Bush, me anë të një telefonate të bërë nga javën e kaluar, ka urdhëruar Sekretaren e Shtetit Kondoleza Rajs që të abstenojë mbi rezolutën e OKB-së për luftën në Gaza. Olmert tha se një gjë e tillë e kishte lënë Rajs të turpëruar. Olmert tha se ai kishte kërkuar të fliste më Bushin në telefon, i cili ndodhej në Filadelfia në një fjalim, përpara votimit në Këshillin e Sigurimit të enjten e kaluar për rezolutën që bënte thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në rripin e Gazës. "Ata e ulën nga podiumi, e sollën në një dhomë tjetër dhe unë fola me të. Unë i thashë Bushit: 'Ju nuk mund të votoni pro kësaj rezolute' . Bush u përgjigj: 'Dëgjo, unë nuk di gjë për këtë rezolutë, nuk jam familjar me cështjen'. Por unë iu ktheva se isha familjar me rezolutën dhe se SHBA-të nuk mund të votonin në favor të saj", u shpreh Olmert për bisedën telefonike me Bushin. Olmert tha se si përfundim, Rajs u detyrua të abstenojë rezolutën. "Bush e urdhëroi Sekretaren e Shtetit dhe ajo nuk votoi pro. Ajo mbeti goxha e turpëruar, pas abstenimit", shtoi kryeministri izraelit. 14 shtete anëtare të Këshillit të Sigurimit nga 15, mbështetën rezolutën, e cila dështoi në ndalimin e ofensivës izraelite mbi Rripin e Gazës. Deri tani konflikti në Gaza ka shkaktuar rreth një mijë të vdekur, mes të cilëve afërsisht 300 fëmijë të pafajshëm, si dhe mbi katër mijë të plagosur. Deri tani, përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e paqes kanë dështuar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›