E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iran, prodhimi i naftës mund të pakësohet edhe më tej

OPEC-u mund të pakësojë edhe më tej prodhimin e naftës, në rast se diçka e tillë do të rezultojë e nevojshme për të arritur stabilitet në tregun e arit të zi, bëri me dije të shtunën televizioni shtetëror iranian, duke cituar Gholamhusein Nozari, ministrin e Naftës së këtij vendi. Nozari, përmes një deklarate zyrtare, bëri gjithashtu me dije se Iran do ta ulte prodhimin me 199 mijë fuçi në ditë, duke respektuar vendimin e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës për ta pakësuar prodhimin e përgjithshëm në 1.5 milionë fuçi duke nisur nga 1 nëntori.

Çmimet e naftës në nivel botëror ranë dramatikisht nga rekordi prej 147 dollarësh për fuçi në më pak se gjysmën brenda pak javëve (të premten çmimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte rreth 67 dollarë për fuçi). "Ulja e sasisë së përgjithshme të prodhimit do të vazhdojë deri në çastin kur OPEC-u të arrijë të vendosë stabilitet në tregun e naftës", bëri me dije ministri iranian, përmes deklaratës në televizionin shtetëror.

Mësohet se prodhimi iranian i naftës e kalonte pak kuotën prej 4 milionë fuçish në ditë, megjithëse zyrtarët e vendit nuk pranojnë të deklarojnë me saktësi kuotat e përcaktuara para dhe pas takimit të fundit të OPEC-ut, të mbajtur në Vjenë më 24 tetor, ku vendet eksportuese morën bashkërisht vendimin për pakësimin e prodhimit si masë për stabilizimin e çmimeve. Analistët mendojnë se çmimi duhet të ngrihet të paktën 70 dollarë për fuçi, në mënyrë që Irani të arrijë kuotën e duhur të fitimeve nga shitja e naftës. Bëhet gjithashtu me dije se për çdo dollar të ulur për fuçi, ky vend humbet 1 miliard dollarë të ardhura në vit. Sipas së përditshmes "Abrar-e Eqtesadi", Nazari ka bërë me dije që "në rast se çmimet vazhdojnë të bien, pavarësisht pakësimit aktual të prodhimit, OPEC-u do të mbajë një mbledhje tjetër emergjence". Ndërkaq guvernatori i OPEC-ut për Irakun ka shtuar se kjo organizatë mund të mos ndalet këtu me ndërprerjen e prodhimit, gjë që është përsëritur edhe nga vende të tjera të OPEC-ut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›