Irani-SHBA-së: Sanksionet të kota dhe të pajustifikueshme

Kryetari i Dhomës Tregtare të Iranit ka hedhur sot poshtë veprimin e Uashingtonit për vënien e sanksioneve të reja ekonomike kundër republikës islamike.
Mediat vendore citojnë Mohamad Nahavandian duke hedhur poshtë vendimin e SHBA-së si "të kotë dhe të pajustifikueshëm."
Këto komente vijnë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka nënshkruar me ligj sanksionet kundër Bankës Qendrore të Iranit dhe sektorit financiar.
Sipas këtyre masave kompanitë e huaja duhet të zgjedhin nëse duan të bëjnë biznes me naftën e Iranit dhe bankën e tij qendrore, apo me sektorin financiar të SHBA-së.
Sanksionet ndaj Iranit janë përgjigje ndaj aktiviteteve bërthamore të tij.