Irani arreston shkencëtarin e kthyer nga SHBA
Faqja e internetit Iranbriefing.net pretendon se fizikanti iranian Shahram Amiri, gjendet në një burg në Teheran.
Amiri u kthye në korrik të vitit 2010 në Teheran, duke thënë se ishte rrëmbyer nga agjentët amerikanë ndërsa ishte në pelegrinazh në Arabinë Saudite.
Amiri tha se rrëmbyesit e CIA-s i bënin presion për informacione mbi programin bërthamor të Iranit, por ai më vonë kishte qenë në gjendje të largohej.
Zyrtarët amerikanë thanë se Amiri kishte bashkëpunuar me dëshirë dhe për këtë ishte paguar 5 milionë dollarë.
Iranbriefing.net tha se fillimisht ishte vendosur në një shtëpi të sigurt kur ishte kthyer në Iran, por pastaj ishte dërguar në burgun Heshmatieh të Teheranit, ku ishte torturuar vazhdimisht.Kjo faqe interneti mbahet nga Fondacioni IranBriefing, që e përshkruan veten si “organizatë jofitimprurëse për të drejtat e njeriut”.