E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani brenda një viti me bombë bërthamore?

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, tha se bazuar në pritjet e analistëve, Irani mund të zhvillojë armë bërthamore brenda një viti, nëse Republika Islamike vendos ta bëjë një gjë të tillë.

Duke folur për mediat amerikane, Panetta tha se Iranit do t’i duhen edhe dy-tre vjet të tjerë për të prodhuar raketa apo mjete të tjera, që do ta çonin armën në objektivin e caktuar.

Ai përsëriti se SHBA nuk do që Irani të krijojë armë bërthamore. Panetta e quajti këtë një “vijë të kuqe” edhe për Amerikën, edhe për aleatin e saj, Izraelin.

Kreu i mbrojtjes amerikane theksoi se SHBA do të ndërmarrë “çfarëdo hapash të nevojshëm” për të ndalur Iranin. Teherani ka mohuar çdo përpjekje për krijimin e armëve atomike.

Në anën tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Ali Akbar Salehi, ka shprehur optimizëm sa i përket vizitës së ekipit të ekspertëve bërthamorë të OKB-së në Iran.

Zyrtarët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) ndodhen në Teheran deri të martën, në përpjekje për të marrë përgjigje nga Irani në lidhje me programin e tij bërthamor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›