Irani eksporton armë në Siri

Një raport konfidencial i OKB-së tregon se Irani po eksporton armë për qeverinë siriane, duke shkelur embargon për shitjen e armëve.
Raporti citohet nga CNN një ditë pasi presidenti Bashar al Assad fajësoi mercenarë të mbështetur nga fuqitë e huaja për dhunën në vendin e tij.
“Raporti flet për tre ngarkesa iraniane të sekuestruara vitin e kaluar”, ka deklaruar një burim diplomatik në kushte anonimati për rrjetin amerikan.
Raporti është hartuar nga një panel ekspertësh dhe është paraqitur në komitetin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që monitoron sanksionet ndaj Iranit, ka bërë të ditur burimi.
Njoftimi për raportin vjen pasi Assad, në një intervistë të rrallë për “Russia 24”, tha se armët në duart e rebelëve sirianë vinin nga Libani dhe Turqia.
Assad bëri përgjegjëse për situatën të ashtuquajturën Pranëvera Arabe, gjatë të cilës revolucionet rrëzuan regjimet diktatoriale në Egjipt, Libi dhe Tunizi.
Lëvizjet e suksesshme të Pranëverës Arabe frymëzuan kryengritjet në Siri që nisën në mars të vitit 2011 për të kërkuar reforma politike, por që u kthyen shumë shpejt në një lëvizje të armatosur opozitare që po shtypet me dhunë nga ushtria e Assad.