Irani i gatshëm për negociata për çështjen nukleare
Irani bën të ditur se është i hapur për negociata për çështjen nukleare. Presidneti Mahmoud Ahmadinejad ka thënë se Irani ka hapur rrugë për shkëmbimin për pasurimin e uraniumit dhe se është i gatshëm të bashkëpunojë me perëndimin për çështjen nukleare. Televizioni shtetëror iranian bën të ditur se Teherani do të pranojë një plan për pasurimin e uraniumit jashtë vendit, për qëllime civile vetëm në këmbim të "ndryshimeve të rëndësishme". Ndërkaq edhe misioni i vëzhguesve të Kombeve të Bashkuara për çështjet nukleare ka përfunduar vizitën në Iran dhe është kthyer në Austri. Delegacioni i inspektoreve te Agjencise Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore është kthyer në Vjenë, pas përfundimit të vizitës në impiantin iranian të Komit, në Iran. Kreu i misionit, Herman Nackaerts ka deklaruar për mediat ndërkombëtare se ka mbetur i kënaqur nga vizita në Iran. "Ishte një udhëtim i mire. Do të jetë drejtori i përgjithshëm i ANEB ai që do të japë detajet në kohën e duhur", ka pohuar Nackaerts. Vendi i vizituar nga delegacioni, u bë publik një muaj më parë nga vetë autoritetet iraniane, por shtoi pasigurinë për perëndimin se nëpërmjet impiantit, irani po përpiqej të mbulonte programin bërhtamor për zhvillimin e armëve atomike. Më herët sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon i kërkoi Iranit, që në grindjen rreth programit të tij bërthamor të pranojë propozimin ndërkombëtar të kompromisit. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore i kishte propozuar Iranit, përpunimin jashtë vendit në shkopinj nuklearë rreth 70 për qind të uraniumit të tij të pasuruar lehtë dhe në këmbim, teherani do të hiqte dorë prej pasurimit të uraniumit në vend.