E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani i thotë "jo" ftesës së G8

Irani nuk do të marrë pjesë në takimin e sotëm të shteteve të G8-ës, ku qe ftuar për të diskutuar problemet e Afganistanit. Pas ultimatumit të ministrit të Jashtëm italian, i cili kishte kërkuar konfirmimin përfundimtare brenda së hënës, nga Teherani mbërriti përgjigjja e Manuçer Motakit, analogut të tij iranian: "Nuk parashikoj të jem i pranishëm në Itali". Ministri Franko Fratini shprehu menjëherë keqardhje për refuzimin: "Irani nuk duhet të izolohet nga komuniteti ndërkombëtar dhe të konfirmojë në një farë mënyre që ka dëshirë të jetë aktor konstruktiv, të paktën për sa i takon stabilizimit të rajonit mes Pakistanit e Afganistanit. Humbi rastin për të dhënë një kontribut konstruktiv".

Diplomatët perëndimorë e konsiderojnë takimin e 25-27 qershorit një mundësi të rrallë për kombet e Grupit të të Tetëve për t‘u ulur në të njëjtën tryezë me fuqitë e rajonit, mes të cilëve edhe Irani, për të diskutuar objektivat e përbashkëta në Afganistan e Pakistan. Ministri Fratini tha se Italia do t‘u kërkojë vendeve të tjera të G8-ës të dënojë dhunimin e të drejtave themelore në Iran, ku kishte parasysh trazirat e fundit pas akuzave të opozitës për vjedhjen e votave gjatë zgjedhjeve presidenciale.

Ndërkaq, thellohet edhe më tej përplasja mes Teheranit e Londrës. Ministri Motaki ka bërë me dije se ka mundësi që qeveria e tij të vendosë të reduktojë nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Britaninë e Madhe. Të martën, dy diplomatë britanikë u përzunë nga Irani dhe Londra u përgjigj me të njëjtën gjuhë. Motaki e akuzoi Londrën për ndërhyrje në zgjedhjet e 12 qershorit dhe si orkestruese të protestave të këtyre ditëve. Akuza të hedhura poshtë nga Kryeministri Gordon Braun si "krejtësisht të pabaza". Irani ka akuzuar gjithashtu edhe CIA-n për mbështetjen financiare të protestave.

Ndërkohë, mediat perëndimore njoftojnë se Teherani mbahet me dorë të hekurt nga forcat e ruajtjes së rendit. Orët e mbrëmjes së djeshme u raportuan nga disa media botërore trazira të reja. Sipas një burimi, rreth 4 mijë demonstrues u grumbulluan në sheshin "Baharestan", në afërsi të selisë së Parlamentit dhe u përballën me forcat e policisë. Televizioni "Al Arabija" raportoi për disa të plagosur, ndërsa gazeta britanike "The Guardian" shkruante se një vajzë ishte goditur me armë zjarri. Agjencia "France Press" citoi dje një gazetare të së përditshmes iraniane "Kalemeh Sabz", sipas të cilit janë vendosur nën masën e arrestit 25 kolegë të tij. "Pesë ose gjashtë janë pjesë e stafit të administratës, të tjerët janë gazetarë. U arrestuan të hënën", tha gazetarja Alireza Beheshti, duke shtuar se "agjentët nuk u kishin treguar kurrfarë mandati".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›