E Diel, 1 Nëntor 2026

Ramazan Bashardost , kandidati që jeton nën çadër

Si shumë afganë të prekur nga lufta në katër vitet e fundit, Ramazan Bashardost ka jetuar në një çadër. Por, në ndryshim nga mijëra persona që kërkojnë të arratisen prej zonave të dominuara nga talebanët, ish-ministri për planifikimin në qeverinë "Karzai" është i bindur se mund të bëhet Presidenti i ardhshëm afgan.

Bashardost, i pari që shpalli kandidaturën e tij pesë vjet më parë, do të marrë pjesë si kandidat i pavarur në zgjedhjet presidenciale të 20 gushtit. I diplomuar në Francë, me profesion avokat, ky burrë 43-vjeçar në të kaluarën u shpërndante një pjesë të mirë të të ardhurave të tij prej 2 mijë dollarësh në muaj (rroga si ministër) të varfërve që shkonin ta takonin në çadrën e tij. "Gjithmonë u kam dhënë një pjesë të rrogës sime vejushave, të moshuarve dhe jetimëve. Dhe do të vazhdoj ta bëj këtë. Por ndërkohë më duhet të përqendroj burimet e mia në fushatën elektorale", thotë i ulur në një karrige plastike përballë çadrës së pluhurosur dhe të vjetër ku ai jeton. Çadra e tij, e vendosur para Parlamentit, i shërben si shtëpi dhe zyrë njëkohësisht. Bujar dhe shumë kritik ndaj korrupsionit të politikanëve në vend, Bashardost ka fituar një popullaritet të madh. Kur ishte ministër, u konfrontua me Presidentin afgan, Hamid Karzai, sepse kishte kërkuar që të shkriheshin qindra organizata të cilat hiqeshin sikur vepronin për bamirësi. Sipas tij, ato ishin të korruptuara dhe për më tepër u paguanin vartësve rroga shumë të mëdha për standardin e jetesës në vend. Në vitin 2005 bëri të ditur planin tij për të dëbuar nga vendi rreth 2 mijë OJQ dhe ka kritikuar ashpër rrogat shumë të larta të ministrave. Në atë pikë, Presidenti Karzai, një mbështetës i fortë i komunitetit ndërkombëtar në vend, e detyroi të jepte dorëheqjen. Vendet donatore shpesh akuzohen se i harxhojnë kot ndihmat humanitare. Në një raport të publikuar në vitin 2008, organizata e pavarur "Integrity Watch Afganistan" (IWA) nënvizonte se në 100 dollarë ndihma, në përgjithësi te qytetarët mbërrinin vetëm 20. Pjesa tjetër e parave përdorej për produktet, shërbimet dhe personelin e ardhur nga jashtë, përveçse për sigurinë e agjencisë humanitare. Për më tepër, e gjithë kjo ua hiqte punën afganëve.

Korrupsioni

Korrupsioni në Afganistan është i shpërndarë në të gjitha shtresat dhe institucionet: nga kreu lokal i policisë, që për të zënë atë vend pune ka paguar 100 mijë dollarë, deri te funksionarët e lartë të qeverisë, të cilët akuzohen se kanë lidhje me grupet e trafikantëve të drogës. Sipas IWA, qytetarët afganë paguajnë mesatarisht 100 dollarë në muaj nën dorë për të pasur shërbimet bazë në shtëpi, si elektriciteti. Vërtet e dhimbshme për një vend që jeton me më pak se 1 dollar në ditë. Afganët, tregon Bashardost, janë kaq të lodhur nga korrupsioni, sa do të votojnë për të. Kur pyet nëpër rrugë njerëz të thjeshtë se sa mundësi ka Ramazani për t‘u bërë President, Mustafa Atif, një tregtar 32-vjeçar, thotë: "Është një njeri i mirë, interesohet për popullin dhe lufton korrupsionin. Por do të bëhet President vetëm nëse Presidenti i Amerikës, Barak Obama, do ta dojë". Shumë qytetarë mendojnë si ai, por ka edhe nga ata që thonë se "beteja e tij është e humbur. Korrupsioni në këtë vend është një problem shumë i madh për t‘u zgjidhur nga një njeri i vetëm. Për këtë arsye, nuk do të votoj për të". Shumë afganistanë e akuzojnë Karzain se nuk është angazhuar aq sa duhet për të eliminuar pagesat nën dorë, për të përmirësuar sigurinë dhe për të ndaluar prodhimin e opiumit. Edhe ShBA ka nisur të shfaqë shenjat e para "të lodhjes". Në shkurt të 2008-ës, zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, braktisi papritur një darkë zyrtare kur Karzai deklaroi se korrupsioni nuk është një problem që prek Afganistanin. Një gënjeshtër e madhe kjo, kur të gjithë e dinë se korrupsioni është i shpërndarë në çdo hallkë në vend. Sipas një sondazhi të bërë prej ABC NEWS, nga viti 2005 deri në 2009, popullariteti i qeverisë "Karzai" ka rënë me 29 për qind. Tre të katërtat e të intervistuarve mendojnë se korrupsioni është një problem, ndërsa vetëm 32 për qind mendojnë se Presidenti është duke punuar mirë. Në janar të vitit 2009, "Oxfam" një nga OJQ-të më aktive në vend, i dërgoi një letër të hapur Presidentit Obama. "Korrupsioni po minon besimin e qeverisë afgane dhe po komprometon efikasitetin e saj", shkruhej aty. "Uashingtoni duhet të bëjë presion mbi Kabulin, për ta përballuar këtë problem. Duhen hequr nga pushteti funksionarët që nuk janë të zotë".

Të heqësh dorë nga privilegjet

Bashardost ka evituar "kurthet" ku shpesh bien politikanët afganë: makinat e bukura, shtëpitë luksoze dhe rrogat që mund të arrijnë edhe deri në 25 mijë dollarë në muaj. Për këtë, pasi dha dorëheqjen, mbeti pa asnjë dyshkë. "E kam thënë hapur dhe qartë që, për një ministër, ato ishin burim korrupsioni. Kur u largova, njerëzit vazhdonin të më vlerësonin. Nuk kisha shtëpi, kështu që i kërkova kryetarit të Bashkisë së Kabulit leje për të ngritur një çadër në park. Ai pranoi. Dy vjet më parë, kur u zgjodha deputet, nuk ishte e vështirë ta bindja që ta zhvendosja përpara Parlamentit, ku mbështetësit e mi mund të më takonin më lehtë".

Intervistat jashtë vendit

Për t‘u njohur nga afganët e diasporës, Ramazani ka dhënë intervista televizive në disa televizione të SHBA-së, Kanadasë dhe Europës. Kështu ka mundur të mbledhë edhe fondet për të marrë pjesë në zgjedhjet e gushtit. Deri tani ka mbledhur rreth 500 mijë dollarë, kryesisht të dhuruara nga afganët që jetojnë jashtë vendit. Megjithatë, sfida e 20 gushtit mendohet të jetë shumë e fortë. Në garë, përveç Presidentit aktual, Hamid Karzai, janë edhe ish-ministri i Jashtëm, Abdullah Abdullah dhe ish-ministri i Financave, Ashraf Ghani. Sipas Bashardost, fuqia politike në Afganistan është në dorë të kriminelëve të luftës. Ai është i bindur se talebanët do t‘i ulin armët kur zotërinjtë e luftës, që sot janë politikanë, do të dëbohen nga pushteti. "Talebanët më kanë treguar se luftojnë kundër SHBA-së vetëm sepse mbështetin miqtë e tyre të vjetër. Deri kur ta bëjnë këtë, ushtarët e tyre do të vazhdojnë të vdesin në malet afgane", shpjegon ai.

Premtimet që duhen mbajtur

Bashardost ka premtuar se do të eliminojë korrupsionin duke reformuar sistemin politik të Afganistanit. Nëse do të fitojë zgjedhjet, do të emërojë funksionarë publikë ekspertë dhe të pavarur nga origjina etnike dhe bindjet politike. Ndërkaq, ka premtuar se do të ulë rrogat e ministrave për të rritur ato të agjentëve të policisë, që në përgjithësi nuk shihen me sy të mirë nga qytetarët. "Afganët nuk e duan korrupsionin, por nuk kanë si t‘i shpëtojnë. Paratë që vijnë nga jashtë mjaftojnë për të ndërtuar vendin. Amerikanët sforcohen për të ndërtuar demokracinë dhe për të respektuar të drejtat njerëzore, por mbështetin vetëm kriminelët", përsërit Bashardost. Edhe nëse do të bëhet President i Afganistanit, siguron se do të vazhdojë të jetojë nën çadër. "Përse duhet të lëviz? Vendi im është afër Parlamentit, ku mund të jem në kontakt me njerëzit. Kështu nuk më duhet të marr as makinën për të shkuar në punë". Kur e pyesin si do ta shndërronte pallatin presidencial të Kabulit, Bashardost përgjigjet: "Vendimi i takon popullit. Por mendoj se është vendi ideal ku mund të hapet një muze për politikën".

Biografia

1965. Ka lindur në distriktin e Qaqabagh, provincë e Ghaznit në juglindje të Afganistanit

1989. Studioi drejtësi në Universitetin e Grenoble, në Francë

1995. Mbrojti doktoraturën për Drejtësi në Universitetin e Tolosas

2002. Kthehet në Afganistan për të punuar në Ministrinë e Jashtme

2004-2005. Ishte ministër për Planifikimin në qeverinë "Karzai"

2006. Zgjidhet në Parlamentin e Kabulit

7 maj 2009. Regjistrohet zyrtarisht në listën e kandidatëve për zgjedhjet presidenciale të 20 gushtit


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›