E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani konfirmon ndërtimin e një centrali të dytë atomik



Ato që diheshin nga shërbimi sekret amerikan i shpall tani Presidenti i Iranit Ahmadinexhad. Indinjatë në gjithë botën: Edhe Rusia e Kina, që kanë qenë hapur kundër sanksioneve, janë distancuar tani nga Teherani. SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca u shprehën për një provokim të ri të Iranit. Si pasojë, për Iranin do të ketë sanksione të ashpra. Presidenti Barack Obama tha se ai është i hapur për një dialog thelbësor me Iranin, pavarësisht asaj që ai e cilësoi si “prirje shqetësuese për mashtrime nga Irani” në lidhje me programin e tij bërthamor.

“Në qoftë se ne fillojmë përsëri bisedimet për konfliktin atomik me Iranin, unë dëshiroj t'ju them shumë hapur se SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania kurrë nuk kanë qenë sa sot në një mendje për t'i kujtuar Iranit detyrimet e tij", - tha Obama. Ai tha se Irani duhet të bashkëpunojë pa kufizime me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike dhe të provojë se impianti i dytë që po ndërton ka synime paqësore.

Presidenti amerikan tha se të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit e kanë bërë të qartë se Irani duhet të përmbushë plotësisht detyrimet e tij ose përndryshe do të përballet me sanksione dhe izolim të mëtejshëm. Obama tha se impianti i ri bërthamor i bën edhe më urgjente bisedimet ndërkombëtare me Iranin të planifikuara për të filluar më 1 tetor.

Impianti i ri atomik ndodhet në një mal afër qytetit Ghom dhe fillon punën për disa muaj. Teherani e hedh poshtë që kishim të bënim me një impiant sekret.

Shefi iranian për bisedimet atomike, Ali Akbar Salehi, deklaroi në televizionin shtetëror se me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike ka tashmë marrëveshje për një inspektim të impiantit: “Ne e kemi informuar Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike përmes një letre për ndërtimin e impiantit dhe veprojmë plotësisht në përputhje me rregullat. Ne jemi shumë të habitur për reagimet e Perëndimit”.

Ndërkohë që këtë javë pritet takimi për bisedime të reja në Gjenevë, Irani njoftoi se testoi tri raketa me rreze të shkurtër veprimi, një raketahedhës dhe dy raketa me rreze të mesme veprimi me gjatësi deri në 700 kilometra.

Sot u krye edhe testi i një rakete me rreze të gjatë veprimi e tipit Shahab 3. Irani thotë se kjo e fundit ka një distancë veprimi prej 2 mijë kilometrash, duke pasur kështu brenda rrezes së veprimit edhe Izraelin dhe bazat ushtarake amerikane. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, tha se mashtrimet e Iranit, siç i quajti ai, mund të bëjnë që të vendosen një varg sanksionesh shtesë. Presidenti Barack Obama theksoi edhe një herë: "Udhëheqja iraniane duhet të vendosë tani. Nëse merr përsipër përgjegjësitë që i takojnë, atëherë mund të gjejë veten në bashkësinë ndërkombëtare. Përndryshe, presioni do të rritet edhe më tej dhe regjimi iranian do të vazhdojë të izolohet".

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›