MASH: Diploma e Juridikut të Vlorës, me nivel DIND
Ministria e Arsimit ka reaguar dje ndaj protestave të studentëve në Vlorë, në lidhje me diplomën e tyre. Sipas Ministrisë së Arsimit, diploma katërvjeçare që ata kanë marrë në dorë, është e barasvlershme me ato diploma të marra përpara hyrjes në fuqi të Kartës së Bolonjës, çka do të thotë se njësohen me Diplomat e Integruara të Nivelit të Dytë. “Ministria e Arsimit dhe Shkencës sqaron edhe një herë të gjithë studentët që kanë përfunduar studimet universitare 4-vjeçare në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vitin akademik 2008-2009, përfshirë studentët e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, se diplomat e tyre janë tërësisht të njëjta me diplomat e marra nga studentët e viteve paraardhëse. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë dallim në të drejtat që gëzojnë studentët për të vazhduar studimet e mëtejshme universitare dhe për punësim”, – bëri të ditur me anë të një njoftimi për shtyp Ministria e Arsimit.
Për më tepër, kjo ministri pohoi se këto diploma do të jenë të vlefshme për të vijuar Shkollën e Magjistraturës, pra që cilësohen si diploma të ciklit të dytë të studimeve, në formatin DIND, në çastin e konvertimit me sistemin e ri, që është një kriter nga Shkolla e Magjistraturës. “Sqarojmë se mbi këtë bazë të gjithë studentët e diplomuar në fakultetet e drejtësisë në universitetet e vendit, me kohëzgjatje studimi katër vjet, u pranuan në konkursin e zhvilluar para disa ditësh nga Shkolla e Magjistraturës”, – deklaroi zyra e shtypit e ministrisë.
Studentët e Universitetit të Vlorës nisën para dy ditësh një grevë urie pas refuzimit të rektorit të këtij universiteti, dr. Tanush Shaska, si edhe pas mospërgjigjes nga ana e ministrisë, në lidhje vlerën që do të kenë diplomat e tyre.
Takimi Ksera-Dedaj
Së shpejti, marrëveshje punësimi me Kosovën
Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, priti dje në një takim zv.ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës, z. Gjergj Dedaj.
Në qendër të këtij takimi ishte shtrirja dhe konsolidimi i bashkëpunimit dypalësh mes dy ministrive homologe në fusha të tilla si punësimi, formimi profesional, mbrojtja sociale etj.
Zv.ministri Dedaj e uroi ministrin Ksera në emër të ministrit kosovar të Punës për detyrën e re dhe shprehu besimin se bashkëpunimi tashmë i filluar mes dy institucioneve do të vazhdojë, duke u konkretizuar me marrëveshje në fusha me interes reciprok.
Ministri Ksera garantoi se bashkëpunimi mes dy institucioneve do të konsolidohet dhe do të shtrihet edhe në fusha të tjera, përveç atij të formimit profesional, filluar dy vite më parë dhe nga ky bashkëpunim do të përfitojnë jo vetëm institucionet dhe qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, por, në radhë të parë, shtetasit e të dy vendeve.
Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se bashkëpunimi i vendeve të rajonit në të gjitha fushat do t’i shërbejë jo vetëm paqes dhe stabilitetit në rajon, por edhe zhvillimit dhe integrimit të përbashkët të këtyre vendeve në familjen evropiane.
Zv.ministri Dedaj ftoi zyrtarisht ministrin shqiptar të Punës për një vizitë zyrtare në Kosovë, gjatë të cilës do të nënshkruhet mes dy ministrave një marrëveshjeje dypalëshe bashkëpunimi në fushat që mbulojnë dy ministritë. Ftesa u mirëprit nga ministri Ksera, i cili siguroi se vizita do të zhvillohet në një kohë të afërt, sapo të përfundojë drafti i marrëveshjes nga ekspertët e dy ministrive.