Nivelet e dyta të qeverisjes, me 2 tetor Berisha shpall emrat
Konfigurimi i qeverisë “Berisha 2” merr formë të plotë me datën 2 tetor. Në këtë ditë, Kryeministri Sali Berisha mësohet se do të përcaktojë emrat e zëvendësministrave të rinj. Vetëm ditën e premte, Qeveria e Integrimit Evropian do të jetë tërësisht e plotësuar, pasi me 2 tetor zoti Berisha mbyll negociatat me aleatët për postet e niveleve të dyta. Nga 30 postet zëvendësministrore, demokratët do të mbajnë për vete vetëm 13 prej tyre, ndërkohë që 17 do t’u lihen aleatëve. LSI-ja është e dyta forcë politike brenda koalicionit, së cilës i janë besuar 6 vende zëvendësministrash, si ai i Rendit, Arsimit, Bujqësisë etj. Kryeministri Berisha duket se nuk do të heqë dorë nga disa prej zëvendësministrave aktualë, si Taulant Bino, Marjeta Zaçe, Jonida Tabaku, Paulina Hoti, Halit Shamata, Iva Zaimi, Albert Gajo etj. Po ashtu, Kryeministrit Berisha i duhet të zëvendësojë brenda të vetëve zëvendësministrat që tashme janë deputetë, si Florion Mima, Sherefedin Shehu dhe Gent Strazimiri. Ndër emrat më të mundshëm për poste zëvendësministrore në LSI janë, Filloreta Kodra, Sokol Dervishi, Edmond Haxhinasto, Sokol Axhemi etj. Kurse PR-ja duket se do të paraqesë sërish emrin e Neritan Alibalit për njërin nga dy zëvendësministrat në qeverinë e re. Agrarët e Lufter Xhuvelit do të kenë dy vende, ndërkohë që njëri prej tyre do të jetë vetë kryetari i PAA-së. Liberal-demokratët do të përfaqësohen me Arian Starovën tek Ministria e Jashtme, kurse Neritan Ceka ka preferuar më mirë postin e këshilltarit të Berishës sesa atë të zëvendësministrit, për të cilin do të propozojë një emër tjetër partiak. Ballisti Adriatik Madhi do të qëndrojë sërish në postin aktual si zëvendësministër i Punëve Publike dhe Transporteve, në një kohë kur në nivelet e dyta të qeverisjes pritet të hyjë edhe PBDK-ja e Artur Roshit. Ende nuk janë të qarta vendet që do marrë PDI-ja e Tahir Muhedinit, për faktin se ajo nuk u përfshi në negociatat për nivelet e para të qeverisjes. Por, burimet sqarojnë se për partinë e çamëve tashmë janë të siguruara dy poste zëvendësministrash, ndër të cilat konfirmohet ai i Punës dhe Shanseve të Barabarta. Pas datës 2 tetor, kur pritet të zyrtarizohen edhe emrat e zëvendësministrave dhe ndarja e tortës mes PD-së dhe aleatëve për sa i përket qeverisjes së niveleve të dyta, qeveria “Berisha 2” konfigurohet plotësisht deri në momentin e ndryshimeve të para që nuk dihet se kur do të ndodhin. Kjo, për faktin se vetë Kryeministri Sali Berisha i paralajmëroi këto ndryshime që në momentin kur shqiptarëve u prezantoi kabinetin e ri qeveritar 2009-2013.
Ndarja e posteve
PD 13 zëvendësministra
LSI 6 zëvendësministra
PR 2
PBLD 1
PAA 2
PAD 2
PBK 1
PBDK 1
PDI 2