Përcillet me nderime të mëdha për në banesën e fundit, Leka Zogu I

Të pranishëm zyrtarë të lartë të shtetit, kryeministri Berisha, kryeparlamentarja Topalli, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, si dhe qindra e mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare. Mungoi kryetari i opozitës Edi Rama, i cili nuk përcolli as edhe një mesazh ngushëllimi për Familjen Mbretërore
Familjarë, të afërm, krerë të shtetit dhe politikanë i dhanë dje lamtumirën e fundit, mbretit Leka Zogu I. Për më shumë se dy orë, qindra njerëz kryen homazhe në hollin e Parlamentit të Shqipërisë, ku ishte i vendosur arkivoli me trupin e pajetë të pretendentit për fronin mbretëror.
Në ceremoninë homazh të organizuar nga Protokolli i Shtetit ngushëlluan princin Leka dhe familjen e tij, kryeministri Sali Berisha, presidenti Bamir Topi, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, deputetë si dhe ministra, politikanë, krerë të besimeve fetare dhe shumë miq e të afërm të familjes mbretërore. Në homazhe morën pjesë edhe shumë qytetarë shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Ndërkohë që kryeministri, Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij, Liri Berisha i bënë nderimit e fundit kësaj figure, pas përfundimit të vizitës së kortezisë së kreut të ekzekutivit, në hollin e Kuvendit erdhi dhe presidenti, Bamir Topi për të zhvilluar homazhet e rastit si dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, zhvilluan gjithashtu homazhet.
Ajo që u vu re ishte mungesa e kreut të opozitës, Edi Rama, i cili jo vetëm që nuk mori pjesë në këto homazhe, por nga ana e tij nuk kemi dhe një mesazh ngushëllimi për familjen. Kjo të paktën zyrtarisht.
Si përfaqësues të këtij kampi ishin deputeti socialist, Pandeli Majko dhe Sekretari për Emigracionin, Erion Veliaj. Të shumtë ishin qytetarët që ndoqën nga afër homazhet, duke vendosur pranë trupit të pajetë kurora me lule. Të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, qytetarët i dhanë lamtumirën e fundit pretendentit për Fronin mbretëror, Leka Zogu i parë. Gjithashtu, pjesëmarrës në këto homazhe janë deputetë të të dy kampeve politike, ministrat e kabinetit “Berisha”, artistë, përfaqësues të medias, por dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranën zyrtare.
I pari që mbërriti në hollin e Kuvendit për të zhvilluar ritualin në këtë ceremoni shtetërore është ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth.
Siç dhe pritej në këtë ceremonial mori pjesë dhe ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu si dhe ambasadorja polake, Irena Tatarzinska. Leka Zogu i parë ndërroi jetë më 30 nëntor të këtij viti. Sipas familjes mbretërore pretendenti i fronit shfaqi komplikacione një javë më parë, të cilat falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, arritën të kalohen por gjendja e tij shëndetësore paraqitej sërish e rëndë. Pretendenti i Fronit Mbretëror Leka Zogu i Parë ndërroi jetë, në moshën 72-vjeçare në reanimacionin e Neurokirurgjisë, në Spitalin Nr.5 në Tiranë ku ndodhej i shtruar që prej datës 15 nëntor. Familja mbretërore shqiptare falenderoi në veçanti ekipin mjekësor nën drejtimin e prof. Mentor Petrela për përkujdesjen e vazhdueshme.
Itinerari i homazheve
Nga ora 10.00 deri në orën 12.00 u organizuan homazhe në Hollin qendror të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Më pas u mbajt ceremonia mortore dhe trupi i Leka Zogut të Parë u përcoll për në banesën e fundit. Kortezhi kaloi nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë – Bulevardi – Zhan D’Ark, – Bulevardi Dëshmorët e Kombit” – Sheshi “Skënderbej” – Rruga e Kavajës – Varrezat e Sharrës.
Dita e zisë, flamuri në gjysmë shtizë
Data 3 dhjetor u shpall me vendim qeverie Ditë zie Kombëtare, për pretendentin e fronit mbretëror, Leka Zogu. Të gjitha institucionet ulën flamurin në gjysmë shtizë.
Në Kuvend, për trashëgimtarin e familjes mbretërore janë zhvilluar të gjitha respektet e fundit nga përfaqësues të lartë të shtetit dhe nga familjarët për njeriun e tyre të dashur, Leka Zogu I. Ceremonia mortore u shoqërua nga qindra e mijëra qytetarë të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare.