Irani po përgatitet

Gazeta ‘Haaretz’ shkruan se pjesë e dokumenteve të shërbimeve kombëtare, të hartuara nga Administrata e presidentit Obama, janë përditësimet që bëhen për çdo minutë, e që ndërlidhen me progresin e shënuar në zhvillimin e mbushjeve bërthamore të raketave "përtej qëllimeve të ditura".
Nga ana tjetër, gazeta ‘Israel Hayom’ nënvizon se vlerësimet e shërbimeve sekrete amerikane dhe atyre izraelite përputhen me ato të inspektorëve të Kombeve të Bashkuara lidhur me progresin e arritur nga Irani në pasurimin e uraniumit.
Mirëpo, asnjëra nga gazetat nuk ofron fakte të tjera më detaje për pohimet e botuara.
Ndërkohë, pas mbledhjes së Qeverisë së Izraelit, kryeministri Benjamin Netanyahu theksoi shkurt se: "E kam përsëritur disa herë se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore".
As nga ana e Washingtonit nuk është bërë ndonjë koment zyrtar lidhur me këto pohime. I pyetur për raportet në mediat izraelite, sekretari i Shkencës dhe Teknologjisë, Daniel Hershokovitz, vetëm tha se sanksionet që i janë vendosur Iranit duket se nuk po japin rezultate.
Ministri izraelit i Financave, Juval Steinitz, ndërkaq ka kritikuar diskutimin e panevojshëm publik për “një çështje aq delikate të sigurisë”.
Përkundër gjithë kësaj situate të krijuar, duket se banorët e Jerusalemit vazhdojnë të jenë të ndarë lidhur me një sulm të mundshëm të Izraelit kundërt.
Gazeta izraelite ‘Yedioth Ahronot’ sugjeroi të premten se një sulm kundër Iranit do të minonte rizgjedhjen e presidentit Obama në Shtëpinë e Bardhë - marrëdhëniet e të cilit me kryeministrin Netanyahu nuk kanë qenë fort të mira. Kjo, sipas gazetës, do t’i ndihmonte republikanit, Mitt Romney, i cili tashmë haptazi po e quan veten mik të shtetit çifut.
Megjithatë, një zyrtar i lartë izraelit, që citohet nga ‘Haaretz’, ka nënvizuar se, kur bëhet fjalë për Iranin, është fare e parëndësishme se cili kandidat do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA, për shkak se Izraeli nuk beson që fatin e vetë duhet lënë “në duart e të tjerëve”. Sipas përshkrimit të bërë nga gazeta, duket se kjo ishte një deklaratë e dhënë nga ministri aktual izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak.