Iraniania që pa “vdekjen” e saj në TV

Për vdekjen e saj ajo mësoi në televizor. Befas paraqitet fotografia e saj dhe mbi të është i vendosur një shirit i zi. Shoku, të cilin e ndjeu Neda Soltani në atë moment, ishte një ndjenjë tejet e fuqishme. Atë që po e shihte, ishte një shkëputje me realitetin.
“Ishte sikur të shikoje varrimin tënd. Por në atë moment nuk e dija se ishte ky vërtetë fundi i jetës time të vjetër”, thotë iraniania. Por rrëfimi, i cili ndryshoi jetën e saj, kishte filluar një ditë më herët.
Më 20 qershor të vitit 2009, në një rrugë të Teheranit vdes një femër e re. Ajo, së bashku me mijëra njerëz tjerë, kishte protestuar kundër manipulimit të zgjedhjeve presidenciale dhe kinse fituesit të këtyre zgjedhjeve, Mahmoud Ahmadinejadit. Një dëshmitarë okular xhiron momentet e fundit të jetës së saj dhe ja dërgon më vonë xhirimin një iraniani në mërgim.
Ai më pas vendos xhirimin në rrjetën dhe shumë shpejtë kanalet e mëdha televizive filluan ta trajtojnë këtë ngjarje. Me miliona njerëz në gjithë botën kuptojnë për fatin e protestueses. Ajo quhet Neda Agha Soltan dhe nga ai moment ajo përcakton jetën e Nedas tjetër, mbiemri i së cilës është Soltani.
Për vdekjen e tjetrës Neda Soltani kupton një ditë më vonë. Ajo nuk kishte votuar. “Nuk jam një njeri politik dhe nuk besoja se vota ime do ta bënte dallimin. Në fund, të gjithë janë pjesë e sistemit të njëjtë”, thotë ajo sot. Megjithatë, ajo krenohet me protestuesit, krenohet me rezistencën e tyre të guximshme.
Atëbotë Neda Soltani kishte 32 vjet, jetonte në Teheran dhe ishte në fillim të karrierës mjaft ambicioze si docente e gjuhës angleze.
Një ditë pas vrasjes së femrës së re në Teheran, Neda Soltani hapi e-mailin e saj në Facebook dhe pa 67 kërkesa të njerëzve për t’i pranuar si miq.
Kërkesat e njerëzve filluan të shtohen dhe në adresë të saj arriti kërkesa e një shtetase amerikane, e cila i thotë se dëshiron të identifikojë Neda Soltanin, e cila u vra më 20 qershor në Teheran.
“Në atë moment kuptova se pse aq shumë njerëz në botë kishin kërkuar emrin tim në Facebook. Brenda natës u shndërrova në simbol të rezistencës”, thotë ajo. Vetëm pasi që pa pamjet në televizor të femrës që po vdiste dhe fotografinë e saj personale në sfond, ajo e kuptoi gabimin dhe përzierjen që ishte bërë.
Që nga ai moment, telefoni i saj nuk pushonte. Të gjithëve ishte e detyruar t’iu shpjegonte se ishte ende gjallë.
Ajo i telefonon kanalit televiziv, shkruan porosi elektronike. Por nuk merr përgjigje. Ajo u përpoq që të korrigjojë gabimin, por askush nuk ishte i gatshëm ta dëgjonte. Gazetarëve ju nevojitej fytyra e viktimës dhe askush nuk ishte gati të priste.
“Supozoj se kanë dhënë emrin tim në Facebook dhe kanë gjetur fotografinë time. Askush nuk ka hulumtuar më gjatë”, thotë ajo, duke shtuar se fotografia që kishte pasur në profil, tashmë kishte pushtuar mediet.
Neda Soltani nuk ishte më në gjendje të ndalte makinerinë. “Edhe përkundër faktit se CNN e dinte se unë nuk isha femra, që u vra në rrugë, ky kanal vazhdoi të publikojë fotografinë time pranë trupit të saj”, rrëfen ajo.
Kur Neda dilte nga shtëpia, kishte ndjenjën se njerëzit në rrugë e njihnin. Pas një bisede me kolegët, ajo filloi t’i shmanget Universitetit dhe filloi të fshihet.
Gazetat dhe televizionet nuk pushonin së publikuari foton e saj, madje as atëherë kur familja e Nedha Agha Soltanit të vrarë publikoi foton e vajzës së tyre të vrarë. Neda kishte frikë.
“Regjimi iranian po përballej me trysni të madhe. Vrasja e Nedas shpalosi brutalitetin e regjimit. Dhe shteti do të bënte çdo gjë, për të eliminuar këtë bindje”, thotë ajo.
Neda e kuptoi se fytyra e saj e kishte shndërruar në armike të shtetit, pa fajin e saj.
Disa ditë më vonë, në shtëpinë e saj arritën pjesëtarët e shërbimit të fshehtë dhe filloi marrja e saj në pyetje. Pasuan pyetjet: pse mediet po publikojnë fotografinë e saj, çfarë e lidhte atë me protestat. Çka dinte ajo për aktivitetet e Perëndimit dhe përfshirjen e Perëndimit në vdekjen e vajzës së re.
Neda Soltani vazhdoi të insistojë se çdo gjë ishte rastësi. Dikur ajo e kuptoi se askush nuk është i interesuar për pafajësinë e saj. Autoritetet ishin të interesuara që për vdekjen e Neda Agha Soltanit të fajësonin Perëndimin. Filloi të shtohet trysnia ndaj saj për të pranuar se është agjente e CIA-s, por ajo nuk pranoi. Toni filloi të ashpërsohet dhe agjentët e dërguan në një bodrum.
“Mendova se nuk do të dilja kurrë më gjallë nga aty”, thotë Neda. Në fund, ajo nuk duron më dhe e humb vetëdijen. Në atë moment, agjentët ndalin trysninë e tyre dhe e transportojnë me një automjet. Ajo mendonte se do ta dërgonin në burg, por befas automjeti u ndal afër një parku dhe ajo u la e lirë. Në atë moment ajo e kuptoi: duhej të largohej nga Irani.
Disa miq të saj e organizojnë arratinë. Nëpërmjet Turqisë, ajo duhej të kalonte në Europë. Një mik i saj nga Teherani tuboi paratë. Neda nuk dëshiron të largohet, por e di se nuk ka mundësi tjetër. Arratia ishte e suksesshme dhe ajo sot jeton në Gjermani.
“Edhe më tutje fotografia ime qarkullon nëpër disa medie dhe tërbohem kur mendoj në të gjithë ata gazetarë, të cilët nuk qanë kokën për atë se çfarë domethënie kishin raportimet e tyre të papërgjegjshme për jetën time. Për ta është ky vetëm një rrëfim tjetër sentimental, për një viktimë tjetër të regjimit iranian. Por për mua asgjë më nuk është siç ka qenë më parë. Shpesh kam humbur kontrollin mbi jetën time, por sot nuk dëshiroj të jem më viktimë”, nënvizon Neda Soltani, e cila tani ka shkruar edhe librin “Fytyra ime e vjedhur”.