Irlandë, buxheti i kursimit kalon votimin e parë
Ministrat e financave të Bashkimit Europian miratuan formalisht paketën e shpëtimit për Irlandën prej 85 miliardë eurosh. Irlandezët kanë kohë deri në 2015-ën, që ta ulin sërish deficitin e tyre shtetëror rekord prej 32 për qind nën kufirin e lejuar prej tre për qind.
Buxheti i kursimit rigoroz i qeverisë në Dublin për 2011-ën kaloi pengesën e parë në parlament. Me anë të shkurtimeve, para së gjithash te mbështetja sociale, dhe në shërbimin publik do të kursehen gjashtë miliardë euro.
Buxheti më i vështirë në historinë e Republikës së Irlandës e kaloi me vështirësi votimin e parë në parlament. Megjithatë buxheti, i cili planifikon kursime drastike, do kalojë edhe tre votime të tjera në ditët në vijim. Votimi u krye pasi, ministri i Financave, Brian Lenihan zbuloi planet për riorganizim të sitemit të taksave, dhe reduktimin e shkurtimeve në vitin 2011.
Plani i kursimeve prej 6 miliardë eurosh në vitin 2011 dhe 15 miliardë për katër vite, synon të vërë nën kontroll deficitin buxhetor.
Masat drastike të kursimeve janë vënë kusht nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për lëvrimin e paketës prej 85 miliardë euro për Irlandën. Ishte Ministri i financave i Irlandës, Brian Lenihan, që paraqiti dje buxhetin emergjent për vitin 2011, duke thënë se Irlanda duhet të ndërmarrë shkurtimet më të mëdha në historinë e saj.
Ky buxhet përmban 4.5 miliardë euro në shkurtime të shpenzimeve dhe 1.5 miliardë euro në rritjen e taksave. Ministri Lenihan tha se masat janë një çmim i pashmangshëm për ruajtjen e këtij shteti, me borxhe të mëdha, nga falimentimi.