Ironizimi i pasardhësve/Berisha, ministrave: Lini dosjet për pasardhësit - në karriget tuaja do ulen njerëz që s’dinë as të lexojnë

Duke ironizuar për pasardhësit në qeveri, kryeministri Sali Berisha ka kërkuar nga ministrat e kabinetit të tij të lënë në tryezë për ata që vijnë në shtator listën e plotë me projektet që janë miratuar e janë për në vazhdim. “Zotërinj ministra, jemi në mbledhjet e fundit dhe kërkoj në mënyrë të vendosur që pasardhësve tuaj t’u lini në tavolinë listën e projekteve në vazhdim dhe për çdo projekt në vazhdim, në drejtorinë përkatëse duhet të jetë dosja, të cilën duhet ta keni kontrolluar. Të mos harroni se në këto karrige ulen njerëz që nuk dinë të lexojnë as dosjet dhe mund të thonë se nuk gjetëm dosje. Ndaj një kopje të dosjes do ta merrni me vete dhe një tjetër do ta lini në drejtorinë përkatëse. Kjo do të bëhet. Ne kemi detyrë ndaj qytetarëve. Qytetarët i kanë votuar dhe ne respektojmë plotësisht qytetarët shqiptarë. Me disiplinë të hekurt do të lihet lista e çdo projekti, në ç’fazë është, ku dhe sa duhet për t’u përfunduar. Një kopje të dosjes e marrin ata dhe një kopje ministri, në mënyrë që ta ndjekim. Kjo është trashëgimia jonë, së cilës, po deshën t’i vënë vizë a kryq, të bëjnë si të duan, por ne kemi funksionuar në mënyrë që shteti të funksionojë, ekonomia të funksionojë, zhvillimi të funksionojë. Dhe në të gjithë sektorët janë me mijëra projekte në vazhdim dhe uroj që të ecin përpara”.