Irsa Ruçi: Protesta e pedagogëve për dinjitet dhe jo lëmoshë të dijes

Pedagogët kanë rifilluar protestat e tyre, që i kishin lënë pezull që nga shtatori. Pedagogia Irsa Ruçi, e ftuar në emisionin “Në radio“, drejtuar nga Andri Xhahu, u shpreh se sistemi arsimor në Shqipëri ka nevojë për një revolucion. “Politikat për arsimin nuk ndikojnë sot për nesër, por për të paktën një periudhë 10-vjeçare. Është shumë e rëndësishme të reflektojmë.“
E pyetur në lidhje me kërkesat që pedagogët kanë në protestë, Ruçi shpjegon: “Ajo që unë kërkoj nga sistemi arsimor është një filtër për pedagogët. Duhet një filtër i kritereve mbi të cilat ata janë përzgjedhur për të qenë pedagogë. Nëse kanë lidhje me degët mësimore që ata japin mësim, sepse ka pedagogë të diplomuar në një fushë dhe japin mësim në një degë tjetër sepse atje kanë gjetur shtegun për të depërtuar.
Ka pedagogë të cilët janë me mesatare 6, ndërkohë vlerësojnë studentët dhe tregojnë se cila është cilësia. Gjithashtu duhen parë se si janë marrë gradat. Shumica e pedagogëve në arsimin e lartë janë me gradën doktor. Doktoratura është një studim shkencor, një investim për veten dhe vendin. Nuk e di sa prej studimeve të tyre kanë qenë eficiente për vendin, produktive për shoqërinë apo departamentin ku bëjnë pjesë.“
Irsa Ruçi dhe gazetari Andri Xhahu në emisionin “Në radio“
Sipas saj, sistemi i arsimit të lartë përballet dhe me problematika të tjera të cilat kërkojnë zgjidhje. “Një tjetër ngërç është mungesa e laboratorëve. Mungesa e lidhjes së teorisë me praktikën. Po kështu edhe kërkimi shkencor është në mungesë, i cili mund të mbështetet me instrumente shtetërorë. Tenderat shtetërorë që jepen në kompani të ndryshme private mund t’i kalojnë universiteteve.“
Rritja e pagave të pedagogëve për të cilën është folur aq shumë, për Irsa Ruçin nuk ka vlerë përpara dinjitetit. “Duket si lëmosha e dijes. Nuk ka vlerë përpara dinjitetit të pedagogëve. Nëse pedagogu ndihet i përmbushur financiarisht, dua të besoj që as nuk do tentojë më të korruptohet.
Të ruajë dinjitetin përballë studentëve është shumë e rëndësishme. Një pedagog duhet të shihet si një figurë autoritare, e përgatitur dhe e ndershme, duke qenë shembull i moralit shoqëror.“
Se sa të bashkuar kanë qenë pedagogët në këto protesta, Ruçi shprehet: “Lufta nuk është nëse pedagogët janë në sallën e auditoreve apo jashtë universiteteve në protestë. Protestë duhet të ketë secili pedagog, i cili ndjen se diçka nuk shkon. Protesta duhet të jetë frymëmarrje. Nuk i bën keq askujt. Është një reflektim dhe ndërgjegjësim i pedagogëve. Do të doja që askush të mos e kishte frikën për të reaguar dhe reflektuar. Qoftë për të kërkuar të drejtën ose për të gjetur përgjegjësinë te vetja.“
Nëse vijimi i protestave do të sjellë bojkotim të mësimit, Ruçi thotë: “Për mua mësimi nuk duhet bojkotuar asnjëherë. Pavarësisht se e mbështes protestën, studentët kanë nevojë të marrin dije dhe nuk ia kanë borxh askujt. Ata duan cilësi më tepër se kushdo tjetër. Mbështes protestën që bëhet në emër të së mirës.“
/rtsh.al/