Isa Mustafa: Nuk kemi emër për Prishtinën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa ka thënë se partia të cilën ai e drejton ka shanca të mira në shumicën e qyteteve të mëdha që të dalë fituese por nuk ka folur shumë për Prishtinën.
“Në Prishtinë kemi emra dhe jo emër. Emrat janë të profileve e strukturave e funksioneve”, ka thënë Mustafa në RTK.
Sipas tij, LDK-ja do të përcaktohet për figurat e reja por edhe të vjetrat të LDK-së.
“Kemi shanca të mira në qytetet e mëdha. Prizrenin e kemi të fituar gjithmonë. Nuk e di kë do ta kemi kandidat. Varet edhe prej Kryeziut aty. Kemi shanca të mira në Pejë po ashtu”, ka shtuar Mustafa.
Ai ka thënë se nëse LDK-ja fiton, përgjegjësinë për qeverisje do ta marrë vetë.
“Postin e Kryeminsitrit do ta mbajmë vetë. Për të tjerat do të mund të bisedohet”, ka thënë ai.
Ai i ka përkrahur edhe një herë të negociatat me Serbinë duke shtuar se ato duhet të jenë brenda Kushtetutës së Kosovës.
Kurse për privatizimin e PTK-së ka thënë se ajo duhet të privatizohet gjithsesi meqë ka dështuar që të ofrojë çmime më të ulëta se sa operatori privat./Indeksonline/