E Diel, 1 Nëntor 2026

Anëtarët e partive po “rehabilitohen” në borde

Drejtorët dhe disa anëtarë të ndërmarrjeve publike dhe institucioneve të pavarura kanë prejardhje kryesisht nga partitë politike dhe kjo është arsye e mos funksionimit të këtyre ndërmarrjeve, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Madje, sipas tyre, kjo nuk është një dukuri e re, pasi të gjitha partitë që kanë qenë në pushtet kanë inkuadruar militantët e tyre në bordet e ndërmarrjeve.

Avni Zogiani, nga organizata joqeveritare “Çohu” shprehet se funksionimi i kësaj dukurie ka rezultuar më shkatërrimin e aseteve shtetërore.

“Kemi ardhur deri në pikën, sa tashmë është e parëndësishme se kush do të jetë në borde, për shkak se përfshirja e politikës në sektorin e menaxhimit të aseteve publike dhe privatizimit e ka shkaktuar dëmin maksimal dhe nuk e di se sa ka kuptim të debatohet, kur nuk ka mbetur asnjë sektor që nuk është dëmtuar seriozisht nga politika”, tha Zogiani për REL.

Shqetësimet e shoqërisë civile, për siç thonë politizimin e bordeve, vijnë pas emërimit të Blerim Rexhës për kryesues të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Blerim Rexha është profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, njëherësh anëtar i PDK-së.

Edhe Petrit Zogaj, nga organizata joqeveritare “FOL”, thotë se drejtorët e bordeve të ndërmarrjeve po emërohen në bazë të lidhjeve politike, gjë që, sipas tij, ka ndikuar në rënien e kredibilitetit të kompanive publike.

“Siç kemi parë edhe dje në Kuvendin e Kosovës, janë votuar anëtarë të partive politike, në këtë rast të PDK-së, madje edhe kryesues të bordeve. Kjo do të thotë se qeverisja aktuale nuk i ka parë bordet si mundësi që kompanitë dhe agjencitë e pavarura të kenë një mundësi zhvillimi, por si mundësi rehabilitimi të personave të caktuar, të cilët, në një fazë apo tjetër, nuk kanë fituar pozita ekzekutive në qeverisjen aktuale ose edhe në Kuvendin e Kosovës”, shprehet ai për Radion Evropa e Lirë.

Zogaj thotë se gjatë shpalljes se konkurseve për këto vende pune nuk respektohen kërkesat e kërkuara në baza ligjore. Pos kësaj, pagat në këtë sektor janë shumë të larta, ndërsa shtohen mundësitë edhe për punësim të anëtarëve të familjeve të tyre në ndërmarrje të caktuara.

“Pa dyshim se ky është një zinxhir i rehabilitimit të anëtarëve të partisë, pastaj anëtarët e partisë familjarët e të cilëve i kanë votuar njerëzit në Kuvend, pastaj vetë familjarët e vetë. Do të thotë, këtu ka qasje familjare dhe nepotizëm”, thotë Zogaj./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›