E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në BBC: Duhet një pastrim total

Në cilësinë e kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë, Edi Rama ishte i ftuar i gazetares Sarah Montague në emisionin më të rëndësishëm politik të BBC-së, 'Hard talk'.

Njeriu, që do të bëhet kryeministër i Shqipërisë, në muajin shtator, është një artist modern, thotë BBC, i lavdëruar prej ndërkombëtarëve për transformimin e Tiranës në kohën kur ishte kryetar bashkie i saj dhe meritat nuk i referohen vetëm ngjyrave plot jetë me të cilat u veshën ndërtesat gri. Rama ka premtuar rilindje për të gjithë vendin. Sa do të arrijë t`ia dale mbanë aty ku politikanët e tjerë përpara tij kanë dështuar?

“Kjo mbetet për t'u parë, por mendoj se është koha për t'i dhënë vendit tonë një pastrim të mirë. Është një vend që ka një reputacion të keq, por në të njëjtën kohë është një vend me potenciale të jashtëzakonshme e plot talente, që jetojnë brenda kufijve e jashtë kufijve. E vërteta është se kemi bërë pak për ta ndryshuar imazhin e tij dhe nën mbikëqyrjen e Bashkimit Europian, për shkak të procesit tonë të integrimit në BE, problemet janë shfaqur qartazi, e ne duhet t'i zgjidhim. Mendoj se kur bën llogaritë me korrupsionin dhe problemet e thella të krijuara prej tij, duhet mbajtur gjithmonë parasysh se është sistemi që korrupton njerëzit dhe jo e kundërta. Besoj me forcë se lufta kundër korrupsionit ka të bëjë me modernizimin e sistemit dhe mënyrat se si t`ja bësh sa më pak të mundur njerëzve përfitimin nga një sistem defektoz”, tha Rama, transmeton TCH.

Zgjedhjet e fundit dhe 21 janari u prekën gjithashtu gjatë intervistës gati 30 minutëshe.

“Për vrasjet ka një përgjegjësi të qartë dhe këtë duhet ta përcaktojë gjykata”, tha pos tjerash kreu i PS-së.

Gazetarja kërkoi të dijë nëse në bankën e të akuzuarve do të ulet edhe Sali Berisha.

“Kjo nuk ka të bëjë me çfarë dua apo mendoj unë, ka të bëjë me sistemin e drejtësisë. Kur fola për Sali Berishën kam thënë se atij i takojnë të gjitha përgjegjësitë në sensin moral dhe politik. Gjyqi sigurisht duhet të vazhdojë, por në bazat e një procesi të pavarur”, tha Rama.

Ai shtoi se do të duhet të gjendet rruga për të reformuar sistemin shëndetësor, ndërsa pyetjes nëse do të nevojitet një pastrim rrënjësor i njerëzve në administratën shqiptare, kryeministri i ardhshëm u përgjigj: “Jo, nuk kemi pse ta bëjmë një gjë të tillë. Kam bindjen e fortë se edhe brenda këtij sistemi me probleme ka njerëz të vlefshëm. Siç e thash dhe më parë, ajo qe na nevojitet është të transformojmë sistemin; nuk jemi në pozitat që të shpikim diçka nga e para, thjesht duhet të ndjekim shembullin e historive të suksesshme jashtë kufijve, e ka mjaft të tilla, madje edhe në situata shumë më të vështira se kjo e Shqipërisë, të cilat tregojnë se korrupsioni mund të mposhtet”./Indeksonline/   

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›