Me internet kundër korrupsionit

Përpjekjet për të inkurajuar qytetarët që të njoftojnë korrupsionin në internet kanë filluar të japin rezultate në Kosovë. Zyrtarë që administrojnë faqen në internet Kallxo.com thonë se numri i personave që njoftojnë korrupsionin në të gjitha nivelet është duke u rritur.
Faik Ispahiu është administratori i Kallxo.com, e cila filloi më vitin 2012 me mbështetjen e PNUD-it të Kosovës. Ai tha se që prej prillit 2012, janë njoftuar më shumë se 1,000 raste përmes platformës në internet.
"Deri tani janë verifikuar më shumë se 100 raste dhe i janë kaluar gjyqësorit. Kjo tregon, në fakt, se po veprohet. Përmes Kallxo.com njerëzit që njoftojnë mbeten anonimë e mendoj se është inkurajuese që ka shumë më tepër qytetarë që njoftojnë çdo ditë. Eshtë e qartë se njerëzit po tregojnë guxim," tha Ispahiu për SETimes.
Rastet më të shumta të njoftimit të korrupsionit trajtojnë abuzimin e vendit të punës, duke përfshirë edhe në pushtetin vendor, tha ai.
Udhëheqësit vendorë në qytetin jugor të Suharekës ranë dakort që të shtojnë Kallxo.com në faqen në internet të komunës. Refki Bytyqi, zëvendës/kryetar i komunës, tha se së bashku me PNUD-in e Kosovës, po bëjnë një përpjekje për të nxitur qeverisjen e mirë.
"Do të jemi plotësisht transparentë përpara qytetarëve për çdo gjë që ndodh në komunë. Nuk e di nëse të gjithë kanë informacion mbi atë faqe që kemi përfshirë e nëse janë të interesuar të njoftojnë. Nuk e di sesa të suksesshëm kemi qenë në promovimin e kësaj lidhje, por njerëzit kanë mundësinë e mund të shprehin shqetësimet e tyre mbi zyrtarët e komunës ose të njoftojnë abuzimet e mundshme" ,tha Bytyqi.
Sipas rregjistrimit të popullsisë të 2012-tës, komuna e Suharekës ka rreth 90,000 banorë, por një e treta janë jobanorë që jetojnë jashtë vendit. Është kryesisht diaspora që denoncon korrupsionin, tha Ispahiu.
"Njerëzit tanë nga diaspora, duke jetuar në perëndim, kanë fituar një kulturë tjetër: ata përjetojnë sesi duhet të funksionojë shteti e sesi duhet të veprojë ndaj qytetarëve dhe kjo është arsyeja se pse kërkojnë një trajtim të ngjashëm nga zyrtarë shtetërorë në Kosovë. Për këtë arsye kanë më shumë guxim, janë më të drejtpërdrejtë e më këmbëngulës në arritjen e të drejtave të tyre," shtoi Ispahiu. /Indeksonline/