Isa Mustafa po keqpërdorë figurat e ndritura të kombit

Dega e LDK-së në Gjakovë, edhe një herë ka “sulmuar” liderin e kësaj partie, Isa Mustafa, me ç’raste ka shfaqur ndasitë e mëdha të kësaj dege në Gjakovë.
Dega e LDK-së ka reaguar lidhur me organizimin e Akademisë përkujtimore për heronjtë Bardhyl Qaushi, Mark Malota, Urim Rexha dhe Gjergj Sokolo, që do të mbahet nën patronatin e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa.
“Dega e LDK-së në Gjakovë konsideron se organizimi i kësaj akademia është tendencioz dhe me prapavijë të caktuar që ka për qëllim promovimin në Gjakovë të Isa Mustafës, Teuta Sahatqisë dhe disa të tjerëve, të cilët pas diferencimit dhe përjashtimit të Degës së LDK-së në Gjakovë po mundohen të promovohen duke keqpërdorur emrat e figurave të ndritura me të cilat asnjëherë nuk kanë pasur asgjë të përbashkët”, thuhet në një letër të kësajë dege që është e nëshkruar nga Fetah Bakija.
Nder tjera, letra thotë se “tendenca për të keqpërdorur emrat e figurave të ndritura të LDK-së e të kombit, në përpjekje për të mbuluar veprimet e turpshme të tyre në lidhje me degën dhe anëtarësinë e LDK-së në Gjakovë, kanë shkaktuar irritim tek të gjithë bashkëveprimtarët e heronjve”
Sipas kësaj dege, bashkëveprimtarët e Bardhylit, Gjergjit, Urimit e Markut kanë ditur t'i respektojnë për së gjalli këto figura të ndritura, atëherë kur në rrethana të rënda kanë vepruar bashkërisht dhe se njëjtë do të dinë t'i respektojnë dhe t'i ruajnë vlerat që ata kanë prezantuar përgjithmonë. /Indeksonline/