Petroviq: Nevojitet edhe pak kohë për pajtim në Bruksel

Në qoftë se takohem me z. Aleksandar Vuçiq kjo do të realizohet për shkak të nevojës e jo kushtëzimit, dhe me dëshirë e kënaqësi të dyanshme, deklaroi për gazetën serbe që botohet në Frankfurt të Gjermanisë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviq, duke sqaruar se takimi i tyre do të kishte temë ekskluzive jetën më të mirë të serbëve në Kosovë. Ai nuk deshi të japë detaje për bisedimet e dy kryeministrave në Bruksel, “sepse tepër spekulohet, e nuk dihet ende e tëra”.
“Duhet të presim fundin e dialogut dhe t’iu lejojmë dy kryeministrave të flasin për marrëveshjen përfundimtare. Beogradi, sikundër edhe Prishtina e duan maksimumin dhe secili në fund të ditës ka politikën e vet të brendshme dhe duhet të përkujdeset me opinionin në vendin e tij”, sqaroi Petroviq. Sipas tij, nevojitet edhe pak kohë që palët të pajtohen.
Sipas vlerësimit të tij, dialogu i tanishëm në Bruksel nuk ka alternativë dhe është shumë i suksesshëm, veçmas nëse krahasohet me atë të mëparshmin.
“Mendoj që të dy qeveritë kanë treguar dëshirë të vërtetë për normalizim të marrëdhënieve. Me rëndësi është të arrijmë deri te rezultati që mund të zbatohet dhe që do të jetë për të mirën e qytetarëve”, përfundoi zëvendëskryeministri Petroviq./Indeksonline/