Isamili: Protokolli i 7 i marrëveshjes së tregtisë së lirë, forcim rregullave ndërmjet vendeve të CEFTA-s

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili deklaroi sot në Kuvend se “projektligji “Për ratifikimin e protokollit shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për amendimin dhe aderimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore shënon një hap të rëndësishëm përpara në forcimin e rregullave tregtare ndërmjet vendeve të CEFTA-s”.
Në fjalën e saj në Kuvend, Ismaili tha se “me këtë instrument, ne vendosim një sistem të mirëfilltë dhe modern për trajtimin e mosmarrëveshjeve në fushën e mallrave dhe shërbimeve, duke e bërë marrëveshjen e CEFTA më të qëndrueshme, më të parashikueshme dhe më të besueshme për të gjitha palët”.
Sipas saj, miratimi i Protokollit është një nga hapat kyç në zbatim të planit të Veprimit 2021 – 2024 për Krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal në kuadër të procesit të Berlinit.
“Ky protokoll adreson drejtpërdrejt pengesat jotarifore, duke vendosur një mekanizëm efikas dhe më efektiv për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Risia kryesore e këtij Protokolli qëndron në krijimin e një procedure të qartë dhe të mirëpërcaktuar, që garanton gjykim të pavarur përmes një paneli ekspertësh juridikë ndërkombëtarë, të paanshëm dhe të pandikuar politikisht”, nënvizoi Ismaili.
Ministrja Ismaili vuri në dukje se vendimet e këtij paneli janë të detyrueshme, të monitoruara me afate konkrete dhe të shoqëruara me pasoja në rast moszbatimi.
Ky sistem, shtoi ajo, është i ndërtuar në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe me standardet e Organizatës Botërore të Tregtisë
“Në praktikë do të thotë për eksportuesit tanë do të ketë më pak pengesa dhe ndalesa arbitrare në kufi, si dhe më shumë siguri për kontratat tregtare. Për industrinë prodhuese do të ketë mbrojtje më të fortë ndaj barrierave jotarifore. Ndërsa për bizneset në tërësi, do të jetë një mekanizëm i qartë për të kërkuar të drejtat e tyre, ku barra e përballjes me padrejtësitë tregtare i kalon shtetit, i cili tashmë ka instrumentet për t’i adresuar ato në mënyrë efektive”, tha ministrja.
Sipas , ky mekanizëm forcon gjithashtu integrimin ekonomik rajonal, duke siguruar respektimin e rregullave dhe duke parandaluar përshkallëzimin e mosmarrëveshjeve në konflikte tregtare.
Sa i përket aspektit financiar, Ismaili tha se “Protokolli nuk sjell kosto të drejtpërdrejta dhe të përvitshme. Shpenzimet lindin vetëm në rastet kur një palë përfshihet në një proces zgjidhjeje mosmarrëveshjeje, dhe ato përballohen nga buxhetet përkatëse të institucioneve”.
Duke folur për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore e njohur si CEFTA 2006, Ismaili tha se “është një marrëveshje rajonale moderne dhe gjithëpërfshirëse e tregtisë së lirë, e hartuar si një pjesë integrale e agjendës së para-anëtarësimit. Kjo marrëveshje siguron një bazë të fortë ligjore për formulimin dhe zbatimin e politikave në fushat kyçe që lidhen me tregtinë dhe investimet. Zbatimi i suksesshëm i Marrëveshjes deri më sot me liberalizimin e plotë të tregtisë së mallrave ka kontribuar ndjeshëm në krijimin e një zone të tregtisë së lirë në Evropën Juglindore. Palët CEFTA kanë rënë dakord për një agjendë ambicioze për të kontribuar më tej në rritjen ekonomike”.
Ministrja Ismaili u shpreh se “vëllimi i tregtisë me palët e CEFTA në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024 është i qëndrueshëm dhe ka një rritje të lehtë me 0.14%. Bilanci tregtar për vitin 2025 vazhdon të mbetet pozitiv, por vërehet një ulje e eksporteve shqiptare drejt vendeve të CEFTA me 6.5% dhe rritje e importeve me 8.44%. Kjo ka sjelle ulje të mbulimit të importeve nga eksportet”.
Në përfundim të fjalës së saj, ministrja Ismaili ftoi deputetët ta votojnmë unanimisht projektligjin e propozuar.
/k.s/a.f/