E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ischinger: BE duhet ti bindë edhe pesë vendet tjera që të njohin Kosovën

BE duhet ti bindë edhe pesë vendet tjera që të njohin Kosovën, thotë Wolfgang Ischinger, drejtor i Konferencës së Munihut për Siguri dhe ish-ndërmjetësues i BE-së në dialogun mes Kosovës dje Serbisë.

Dëshiroj që në një të ardhme të shpejtë të mund të bindim ndonjë prej këtyre pesë vendeve që ardhmëria e Kosovës, ashtu sikur edhe Serbisë, është në BE. Anëtarësimi i Kosovës në BE nënkupton që ajo të njihet nga të gjitha vendet anëtare si shtet. Ky hap është i rëndësishëm dhe dikur duhet të bëhet. Në qoftë se vetëm një prej tyre e bën këtë hap, atëherë me siguri që herët apo vonë do të pasojnë edhe vendet tjera, ka thënë Ischinger.

Fusnota në mbishkrimin e Kosovës, ku përmendet edhe Rezoluta 1244, ka shkaktuar reagime të shumta si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd. Pala serbe pohon se në këtë mënyrë është pranuar se kjo rezolutë ende është gjallë dhe se Kosova është pjesë e Serbisë. Ndërkohë që qeveria në Prishtinë thotë se me këtë marrëveshje Serbia e ka bërë hapin e parë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ischinger e sheh fusnotën si një shans për Kosovën.

Mua ende më kujtohen kohërat kur ne në Republikën Federale Gjermane flisnim për të ashtuquajturin DDR (Gjermania Lindore). Nga perspektiva e sotme, kjo duket qesharake. Kjo vlen edhe për Kosovën me këtë yll (fusnotë). Pas 20 vitesh njerëzit do të qeshin me këto pohime. Ky është një gjysmëhap, ndoshta i domosdoshëm në këtë moment, tha ai.

Në pyetjen se a ekziston rreziku që kjo fusnotë të jetë bazë për nxitjen e kërkesave të reja të Serbisë ndaj Kosovës, Ischinger thotë se ky rrezik nuk ekziston.

Besoj se është shumë me rëndësi që BE-ja t’ia bëjë Beogradit të qartë se ne e dimë që ndërkohë është shtuar numri i serbëve të mençur, jo vetëm në Beograd, të cilët e kanë kuptuar se kërkesat e Serbisë ndaj Kosovës nuk kanë kurrfarë baze reale, tha ai dhe shtoi se e kaluara nuk mund të harrohet aq shpejt, prandaj është e rëndësishme që Serbia të ketë kohë të mjaftueshme për t’u përballur me këtë realitet.

Ndërkohë, detyra jonë është që Beogradit t’ia bëjmë të qartë se nuk do të ketë afrim me BE-në, në qoftë se nuk i jepet fund kapitullit dhe kërkesave që Kosova të jetë e Serbisë.

Kur është fjala te integrimi i Serbisë në BE, Ischinger thotë se kjo varet nga raportet që Beogradi ka me Prishtinën.

Treni duhet të shkojë së bashku përpara. Afrimi i Serbisë me BE-në duhet të nënkuptojë edhe afrimin e Kosovës me BE-në. /  Kosovapress

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›