Ish- punëtorët e Gërdecit ndërpresin grevën
Tiranë- Grevistët e Gërdecit ndërprerë mbrëmë vonë grevën e tyre të urisë, për shkak të gjendjes tepër të rënduar shëndetësore, por deklarojnë se do t’i drejtohen gjykatës. Ndërkohë, afati i lënë për qeverinë është data 1 korrik.
“Nëse deri në këtë ditë kërkesat tona nuk plotësohen, atëherë ne nga 8, do të hyjmë 80 vetë në grevë urie”- thanë grevistët.
Ata u larguan nga lulishtja përbri kryeministrisë, ku po qëndronin prej dy ditësh, në tentativë për të tërhequr vëmendjen e kreut të qeverisë. Lënë grevën në ditën e 14-të, por nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre ekonomike.
“Vendosëm të shpërnguleshim pranë kryeministrisë, me shpresën se kështu do të mund të negocionim në realizimin e kërkesave tona që më së shumti janë respektimi i të drejtave të njeriut. Kjo do të shmangte edhe proceset gjyqësore, por me sa duket, kësaj qeverie nuk i intereson asgjë”-tha kreu i grupit të grevistëve, Andi Beliu.
Sipas tyre, e vetmja rrugë tashmë mbetet procesi gjyqësor. Sipas Belit, në fillim të javës do të ngrihet një padi në gjykatat shqiptare, ku sërish objekti i saj do të jenë kërkesat për plotësimin e kushteve që i detyruan të qëndrojnë në grevë urie për 15 ditë.
Prej dy ditësh, shtatë ish- punonjësit e fabrikës së vdekjes kanë vijuar grevën e tyre pranë lulishtes së kryeministrisë, me shpresën se qeveria do të mundësonte plotësimin e kërkesave që ata i quajnë jetike dhe të drejta.
Më 29 maj, ish-punëtorët e fabrikës së Gërdeciti kishin dërguar një letër kryeministrit Berisha për të cilën ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ky ka qenë dhe shkaku që ish- punëtorët janë futur në grevë urie.
Kërkesat e punëtorëve drejtuar qeverisë janë: 400 mijë lekë ndihmë financiare për çdo punëtor dhe kjo të paguhet për një vit; një vit rrogë me 500 mijë lekë në muaj; më pas, shteti të sigurojë asistencën për këta punëtorë; pension për familjarët e viktimave; dëmshpërblim për mjetet motorike si dhe t’u njihen sigurimet shëndetësore.
Më parë, greva e urisë e ish punëtorëve të fabrikës së Gërdecit zhvillohej në një apartament në Vorë.