Gjirokastër, doganat masa për pritjen e emigrantëve
Gjirokastër- Të dyja pikat kufitare me Greqinë në Gjirokastër, Kakavija dhe Tri Urat, në Përmet janë gati për të pritur emigrantët, të cilët do të mund të lëvizin lirshëm nga data 20 qershor deri në 15 shtator. Afat, i përcaktuar në bazë të qarkores së lëshuar nga ministria e Brendshme greke. Drejtoria rajonale e Kufirit në jug ka deklaruar sot se ka marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e pritshëm nëpërmjet dysfishimit të personelit, sporteleve.
Takimet me palën greke do të jenë të shpeshta për të gjitha problemet që mund të krijohen, ndërsa në akset nacionale do të shtohet numri i efektivave të qarkullimit rrugor. Masa që merren për të shmangur aksidentet që në raste fluksesh janë të mëdha.
Në çdo sezon vetëm mes Kakavijës lëvizin rreth 180 mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi. Mundësinë për të lëvizur së fundi e kanë të gjithë ata emigrantë që janë me dokumenete të rregullta dhe ata që i kanë dokumentet në proces rinovimi.