Bakojanis: Kosova, një realitet i ri
Ministrja e jashtme greke ka deklaruar se Kosova mund të hapë zyrë ndërlidhjeje në Athinë, në modelin e zyrës homologe greke ,që funksionin prej shumë vitesh në Prishtinë.
Ndonëse ka thënë se Greqia për momentin nuk e ka njohur Kosovën, shefja e diplomacisë greke ka pranuar atë që e quajti realitet të ri nga pavarësimi i Kosovës dhe njohjen e kësaj pavarësie nga shumica e shteteve partnere në BE dhe në NATO.
"Prishtina nuk ka kërkuar hapjen e një zyre ndërlidhëse në Athinë. Nëse bëhet një kërkesë e tillë, ne në bazë të reciprocitetit, nuk kemi asnjë problem që ta pranojmë, " tha Bakojanis.
Ministrja e jashtme, Dora Bakojanis, duket se ka bërë një deklaratë të pazakontë për parametrat e deritanishëm të qasjes greke rreth çështjes së Kosovës, duke lënë gjithashtu të kuptohet se shqyrtimi i njohjes, më së paku është vendosur tashmë në axhendën diplomatike të Athinës.
Sipas BBC-së, ministrja e jashtme greke, nuk e përdori kësaj here formulën e stërthënë se Greqia do të vendosë për njohjen ose jo të pavarësisë, mbi bazën e interesave të saj kombëtare.
Përkundrazi, ajo vuri në dukje realitetin e ri siç tha që është krijuar nga shpallja e pavarësisë së Kosovës që është njohur nga një sërë shtetesh mes të cilave përfshihet edhe shumica e partnerëve dhe aleatëve të Greqisë në BE dhe në NATO.
Analistë vendas e interpretojnë këtë theksim të zonjës Bakojanis, si dhe gadishmërinë për hapjen e zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Athinë, si një tatim të kujdesshëm pulsi që ka në horizont njohjen eventuale të pavarësisë.