E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, gjykata lë të lirë 4 policët

Durrës- Gjykata e Durrësit ka liruar në sallën e gjyqit 4 policët bashkiakë, duke e cilësuar të paligjshëm arrestimin e tyre. Gjykata ka hedhur poshtë pretendimin e organit të prokurorisë, si dhe deklarimin e policisë së Durrësit lidhur me incidentin e rëndë të ndodhur në datën 16 qershor, në afërsi të stacionit të trenit, kur policët dhunuan një shofer autobusi, i cili përfundoi me plagë në spital.

Seanca e vlerësimit të masës është drejtuar nga gjyqtarja Flora Hysi, kurse akuza është përfaqësuar nga Edmond Kaloshi. Procesi i vlerësimit të suigurisë është bërë me dyer të mbyllura dhe ka zgjatur 7 orë.

Në përfundim, Hysi ka dhënë masën e lirimit të tre policëve të bashkisë; Bashkim Maloku 35 vjeç, Ndriçim Dervishi, 39 vjeç dhe Denis Omeri 19 vjeç, si dhe shefit të tyre, Rexhep Bulku, 48-vjeç, duke deklaruar të paligjshëm arrestimin e tyre ditë më parë. Sipas saj, ata kanë qenë në krye të detyrës.

Për shefin e policisë, prokuroria ka kërkuar vlerësim të ligjshëm të masës së arrestit dhe shkarkimit nga detyra. Ndërkohë që e njëjta gjë është kërkuar edhe për tre të tjerët.

Sot, gjyqtarja ka dhënë vendimin që të katër policët të jenë të lirë dhe të mund të rifillojnë punën. Ajo ka kërkuar që Maloku, Dervishi, Omeri, punonjës të policisë bashkiake, të ofrojnë garanci pasurore me shumën 500 mijë lekë të reja.

Kurse shefi i tyre Bulku do të duhet të paraqitet detyrimisht në gjykatë çdo të hënë të parë të muajit dhe të hënën e fundit të muajit.

Arrestimi i tyre u bë dy ditë më parë, pasi u akuzuan se kanë rrahur duke i shkaktuar fraktura shtetasit Fatmir Zakolla, shofer i linjës Durrës – Kavajë. Të katërt policët bashkiakë në bashkëpunim me njëri tjetrin e kanë rrahur Zakollën i cili ka përfunduar në spital me fraktura dhe qepje në kokë e në trup.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›