E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-aleatët: “E sigurt se PS i humbet zgjedhjet e 2013-s”

10-04-2012 / Gazeta 55

S’ka pikëpyetje për ish-aleatët e koalicionit opozitar. Jo vetëm është lexuar fushata likuiduese e Edi Ramës, por edhe është kuptuar se me lidershipin e tij, s’ka asnjë perspektivë për arritjen e pushtetit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në këto kushte disfatiste, ish-aleatëve u ka mbetur vetëm qesëndisja si dhe qëmtimi i aleatëve të mundshëm tek partitë e tjera muhaxhire të politikës shqiptare

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi dhe ai i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, iu përgjigjen dje me batuta deklaratës së kryesocialistit Edi Rama, i cili ka pak ditë më parë në një mesazh në rrjetin social “Tëitter”, është shprehur se aleatët flasin në tym. Krerët e dy forcave politike, duke folur për mediat, janë shprehur se nëse ka tym, ka ardhur vetëm nga zjarri që ka ndezur vetë Rama.
Aleatët e Partisë Socialiste, të paktën kështu mund të cilësohen deri më tani, shohin se me kokëfortësinë që po tregon forca më e madhe opozitare, për sa i përket reformës zgjedhore, fitorja në zgjedhjet politike të 2013, është e dyshimtë.
“Këto taktika të gabuara, ky mentalitet i gabuar, këto lëvizje të njëllojta apo pazare si të vitit 2009, dëmtojnë fitoren e përbashkët. Kështu që ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme jo thjesht për mbijetesën e partive tona, por për të evituar një humbje për shkak të gabimeve të megalomanisë apo të miopisë së lidershipit të Partisë Socialiste. Me këtë mendësi PS do shkojë drejt humbjes në zgjedhjet e ardhshme dhe kjo jo për fajin tonë, por të vetë PS-së. Nëse ne flasim në tym, atëherë zjarrin e ka vënë vetë Rama”, deklaron Skënder Gjinushi, kryetari i Partisë Social Demokrate, ndërsa aleatët historik të socialistëve.
Ndërkohë, për demokristianin Nard Ndoka, përfaqësimi i partive të vogla mund të bëhet dhe larg Partisë Socialiste, që sipas tij, e ka shkelur marrëveshjen me aleatët. Ndoka nuk përjashton një rikthim të mundshëm në “krahët” e mazhorancës si dhe s’la pas dore akuzat ndaj Ramës se gjatë drejtimit të PS-së prej tij, opozita ka njohur vetëm humbje. Gjinushi dhe Ndoka kërkojnë që Partia Socialiste të mbrojë interesat e së majtës, duke këmbëngulur veçanërisht në kërkesën për rishikim të sistemit zgjedhor.
Sipas tyre, socialistët nuk duhet të tregohen kokulur dhe inferior ndaj mazhorancës. Ndërkaq, një tjetër aleat është pranë largimit nga radhët e koalicionit të PS.
Paskal Milo i cilësoi si çmenduri propozimet e bëra nga disa eksponentë të së majtës, të cilët propozojnë që aleatët të përfshihen në listën për deputetë të Partisë Socialiste. Për Milon, partitë e vogla të opozitës kërkojnë që votat e elektoratit të shndërrohen në mandate, dhe jo të konsideron si lëmoshë.
“Ne kërkojmë që atë mbështetje që na ka dhënë dhe na jep elektorati ynë të legjitimohet në mandate, dhe këto mandate nuk i kërkojmë as si lëmoshë, nuk kërkojmë as të përfshihemi në listat zgjedhore të Partisë Socialiste, siç mund të deklarojë ndonjë i luajtur mendsh brenda radhëve të Partisë Socialiste”, u shpreh Milo.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›