E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vatikani: Trashëgimitë e njerëzimit? Kriteret janë të diskutueshme

“Kriteret me të cilat Unesco-ja zgjedh atë çka është trashigimi botërore e njerëzimit janë shumë të diskutueshme”. Kështu u shpreh në lidhje me këtë temë delikate kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën Imzot Xhanfranko Ravazi. Kisha Katolike që ruan si të shenjtë një arkë të pafund thesaresh kulturore, e sheh me mëdyshje shpalljen trashigimi të njerëzimit të disa ngjarjeve kulturore etj. Këtu imzot Ravazi nuk hezitoi të sjellë si shembull karnivalin e Rio de Zhanejros, në Brazil apo shtegtimin e përvjetshëm të hinduve. “E respektojmë veprimtarinë e Unesco-s, - shtoi imzot Ravazi - por edhe themi se nuk është udhërrëfyes turistik, manual për zbulimin dhe vlerësimin e veprave të artit”.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit kardinal Bertone flet për “Etikën e kufijve në ekonomi”/“Drejt një humanizmi të ri”. Kjo qe tema e Lectio Magistralis që mbajti kardinali sekretar i shtetit Tarçizio Bertone gjatë inaugurimit të Vitit Akademik të Universitetit Evropian në Romë, hapur në vitin 2005 me katër kurse diplomimi: juridik, ekonomi, shkenca të historisë dhe shkenca teknike. Ceremonia që u hap nga rektori Atë Paolo Skarafoni ndërsa u mbyll nga ministri italian i ekonomisë Xhulio Tremonti, i cili foli mbi temën “Bota pas krizës”. “A është i mundur sot një humanizëm i ri, që ta kthejë njeriun dhe dinjitetin e tij në qendër?”. Këtë pyetje shtroi kardinali Bertone duke përmendur historinë ekonomike të Evropës, nën dritën e enciklikës së Benediktit XVI Caritas in Veritate - Dashuria në të vërtetën. “Sot, tha kard. Bertone, gjendemi përballë një ndryshimi epokal rrënjësor, jo vetëm për Evropën por për të gjithë familjen njerëzore, një ndryshim që karakterizohet nga “globalizimi, liberalizimi, financiarizimi i teknologjive, emigracionet globale, pabarazitë shoqërore, konfliktet identitare, rreziqet për mjedisin”. Kriza financiare e tashme vetëm sa e bën më urgjente nevojën për një humanizëm të ri. Krizë kjo që u shkaktua, - shpjegoi më tej kardinali Bertone – nga prishja e drejtpeshimeve strukturore të ekonomisë botërore së bashku me rrënimin e bazave etike të financës, që nuk është më një instrument për favorizimin e ekonomisë reale, të mirëqenies, të zhvillimit të të gjithë njerëzve”. Kërkesa e vazhdueshme në vendet perëndimore, duke filluar që nga vitet ’70, “për rezultate financiare sa më të shkëlqyeshme” pati pasoja në të gjithë sistemin ekonomik, derisa u bë një model kulturor në kuptimin e vërtetë të fjalës. Etika e efikasitetit lëshoi rrënjë deri në popull si kriteri më i lartë i gjykimit dhe i justifikimit të realitetit ekonomik”. “Kështu që, ai që deri dje ishte instrument, u kthye në një qëllim.” Ja pra, si u përmbys gjithçka. “Fillojmë të pasurohemi për të qenë gjithnjë e më të pasur dhe nis të përvijohet kështu dëshira për rritjen e pacak të fitimit. Kjo është logjika shkatërrimtare e të pakufizueshmes, të asaj që s’ka caqe, të asaj që s’ka kuptim”. Kësaj tendence, të ashtuquajturës “krijimtari” të basteve financiare, të lëvizjes spekulative të kapitaleve”, rritjes së pakufishme të rrogave të menaxherëve, politikave që nuk bashkojnë punën me prodhimin, i duhet kundërvënë “etika e caqeve”. Më tepër sesa “një rrugëdalje”, duhet të jetë një kthim i moralit, që do të thotë se individi është ai që është përgjegjës ndaj të tjerëve dhe dinjitetit të tyre, përpara se të jenë qeveritë”- e mbylli fjalimin e tij kardinali Bertone. Në vazhdën e fjalëve të sekretarit të shtetit Kardinal Bertone, nisi fjalën e tij ministri italian i ekonomisë Xhulio Tremonti, duke kujtuar se “çdo tetë sekonda në botë grumbullohet një milion dollarë, ose një milionë euro, me borxh, i cili e djeg të ardhmen e fëmijëve tanë.” Në lidhje me krizën ekonomike, që është lënë mënjanë nga ekonomia, ministri kritikoi ndihmën që shteti iu ka dhënë pa dallim të gjitha bankave “madje edhe financës që ka dalë nga binarët”.

Atentate kundër të krishterëve në Mosul, shkatërrohet Kisha e Shën Efremit/Atentat i dyfishtë kundër të krishterëve në Mosul të Irakut. Sot paradite dy shpërthime të ndryshme kanë goditur Kishën katolike Kaldeje të Shën Efremit dhe Kishën e motrave Domenikane të Shën Katerinës. Për momentin nuk ka ende lajme për viktima, por Kishat janë krejtësisht të shkatërruara. Burimet e krishtera të AsiaNews në Mosul flasin për “kërcënime sipas stilit mafioz”. “Është një mesazh i qartë për të krishterët - shpjegojnë - që synon t’i dertojë të braktisin qytetin”. Në një deklaratë për agjencinë Sir, vikari i Patriarkanës së Bagdadit, imzot Shlemon Warduni tha: “Atentati ka ndodhur sot paradite rreth orës 7.00 evropiane. Fatbardhësisht nuk ka as të vdekur e as të plagosur, edhe vet prifti famullitar nuk ishte në banesë në çastin e shpërthimit. Por gjithçka është shkatërruar. Ky është një atentat kundër mbarë Kishës irakiane - pohon ipeshkvi - e tregon se askush nuk është i sigurt, sepse ajo që ka ndodhur në Mosul sot mund të ndodhë përsëri në ndonjë vend tjetër”. Sipas atë Emil Shimoun Nona, ipeshkëv i ri i Mosulit, me këto atentate “kanë dashur të godasin simbolin e pranisë së krishterë e katolikë nč Irak e jo vetëm në Mosul. Kështu kthehet frika e ikja e të krishterëve në këtë vend.

Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›