E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjitë e mbijetesës në politikë dhe rasti i Ben Blushit

Tre janë, në natyrë, strategjitë e mbijetesës: sulmi, ikja me vrap, dhe simulimi i vdekjes. Tigri sulmon, gazela vrapon, por më interesantët janë disa shfaqje ndër kafshë, të cilët përpara një rreziku, marrin një pozë palëvizshmërie të përkryer, mimetizohen me ambientin përreth ose bëjnë gjoja si të ngordhur. Është rasti i shumë zvarranikëve, si i zhabës, i kameleonit afrikan, e zogut Martin peshkatari, etj. Pra me pak fjalë, një panair i national geografic mbi rrezikun dhe strategjitë e mbijetesës.

Mirëpo edhe në politikë ndodh e njëjta gjë. Nëse shohim historikun e politikës shqiptare do të vërejmë se nuk është edhe aq e vështirë t’i identifikosh këto strategji të vëna në zbatim. I pari që ka përdorur strategjinë e mbijetesës duke “sulmuar” si një tigër siberian është politikani Sali Berisha, që me kartën e pastër morale, i ndodhur i vetëm politikisht përballë rebelimit komunist të 97-së, ia arriti jo vetëm të mbijetojë, por edhe të luajë protagonistin e politikës 20-vjeçare shqiptare. Taktika e tij ishte e thjeshtë, por efikase. Gati nganjëherë bëhej e pabesueshme për sytë, me grumbullimin e mitingjeve të paharrueshme, si “Nano ik”. Me thonjtë e me shpirtin malësor, shtuar retorikën opozitare, ia arriti të dilte në qëllimin primar aq të kërkuar nga opinioni publik: atë çjerrjes së maskës së hipokrizisë socialiste 97-2005, që kish filluar nga pushteti i atëhershëm i Fatos Nanos, duke instaluar këmbëkryq dhe në mënyrë kapilare një sistem ryshfeti për çdo gjë, edhe banale nganjëherë.

Pra kuptohet se i dyti që ka përdorur strategjinë e “largimit” si  mbijetim në politikë është Fatos Nano, që pas ngjarjes së 12 shtatorit së vrasjes së pishtarit të demokracisë Azem Hajdari, dhe në datën 14 shtator gjatë varrimit, turma e revoltuar nga moskapja e vrasësve, u nisën drejt kryeministrisë, plot revoltë. Por kryeministri i pat paraprirë revoltës, duke u largua nga tuneli sekret në drejtim të Maqedonisë. Edhe më pas në sfidat politike si jashtë, edhe brenda PS-së për mbijetesë është detyruar të përdorë largimin për të mbijetuar. Pikërisht siç bëri pas humbjes traumatike të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005.

I treti i vërteti - së fundmi është Ben Blushi, që po përdor taktikën e tretë të mbijetesës, simulimin e vdekjes në politikë. Si njeri që ka lexuar e mban mend një libër të Gaqo Bushakës “Tregime për fëmijë”, ku në një tregim të shkurtër paraqitet historia e miqësisë, dhe sigurisht tema e miqve të mirë që nuk të lënë në baltë përballë ariut të murrmë. Aty flitet për një sulm ariu, kur njëri kacavirret e tjetri ia mbath, kurse vetë personazhi ynë shtrihet përtokë e bën si i vdekur, duke ia arritur gjithashtu të mbijetojë. Në politikën e sotme Ben Blushi paraqitet si një projektim i këtij tregimi, i kësaj strategjie mbijetimi, ku, pasi shokët e lanë në baltë, të vetëm kundër ariut të bashkisë, që po i merr erzit të gjithë kundërshtarëve të brendshëm, e vetmja mënyrë mbijetese i  ka mbetur të bëjë si politikisht i vdekur. Dhe këtë gjë po e bën me aq profesionalizëm, sa besojmë që mund të ketë vdekur me të vërtetë. Ka shumë kohë që po bëhet i gjallë në media, kur pronari i PS-së po inflacionohet përditë përpara kamerave, në gazeta, në radio, në protesta, aq sa po krijon një deficit perceptimi. E vetmja dalje në publik e Ben Blushit ishte në panairin e kotësive të librit, ku mori edhe nja 500 euro sadaka si gjoja shkrimtari i zgjedhur i vitit. Vini re, çmimin e jep Shoqata e Botuesve, e cila deri para zgjedhjeve drejtohej nga botuesi i tij.

Edhe strategjia e zvarritjes në heshtje nuk po na çudit aq shumë. Mirëmbetshi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›