E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon martesa e “zorit” mes LDK-së e PDK-së

Ende pa marrë fund procesi zgjedhor për balotazh, në disa komuna të Kosovës, partia e kryeministrit Hashim Thaçit doli me  një qëndrim të befasishëm për prishje të koalicionit qeveritar PDK-LDK. Ky lajm nuk zgjati shumë. Se qysh të nesërmen u konfirmua se koalicioni do të vazhdojë! Kjo përplasje i ka rrënjët më të thella, por si pretekst u zu  marrëveshja LDK-AAK në Prizren, por dhe fakti tjetër se AAK-ja ka shënuar ngritje, duke fituar 17.9 përqind. Në zgjedhjet e kaluara kishte fituar vetëm  9.6 përqind. LDK-ja, po ashtu, ka shënuar rritje nga 22,2 në 25,6 përqind, ndërsa PDK-ja ka mbetur po thuajse në kuotën e  para dy vjetëve, me 34,6 për qind. Megjithatë, gjakrat u ftohën pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, i cili kërkoi respektimin e Kushtetutës  së  Kosovës. Veprimi i PDK-së ishte i pamatur mirë, në këtë kohë kur pritet edhe vlerësimi i ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Më duket se kjo  s’ishte kurrgjë tjetër, pos një lojë e rrezikshme politike e garniturës udhëheqëse të PDK-së. Ishte një lojë me ndjenjat e topitura të këtij populli të përvuajtur shekuj me radhë. Nuk do të kishte kurrgjë të keqe sikur kjo punë të bëhej në një moment dhe situatë krejt tjetër politike. Të inicohet prishja e koalicionit ende pa përfunduar  plotësisht zgjedhjet, dhe pa përfunduar fjala e GJND-së për Kosovën, kësaj i thonë punë diletantësh. Kjo ngjarje për prishjen e koalicionit qeveritar dhe demonstratat triditëshe të  Edvin Ramës në Shqipëri, sikur lidhen me njëra-tjetrën. Dallimi mes tyre është vetëm se PS-ja, me çdo kusht,  e dëshiron pushtetin në Shqipëri, pas humbjes në zgjedhjet nacionale, kurse PDK-ja, me çdo kusht, po e kërkon pushtetin  absolut në Kosovë. Kur është fjala te Shqipëria, të gjithë eurodeputetët e djathë dhe të majtë nuk e përkrahin bojkotin dhe as hapjen e kutive të votimit që po e kërkon më ngulm garnitura e ” revolucionit të vonuar demokratik”. Neokomunsitët e sojit të Ramës, Gjinushit, Doklës…, të dirigjuar nga politika shoveniste ruso-serbe dhe greke, kanë për qëllim ta ndalojnë inkuadrimin e Shqipërisë në BE. Rama, me kompani, dëshirojnë ta kthejnë historinë mbrapa, gjë që  nuk do të ndodhë më kurrë. Kurse në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, gjithnjë e më shumë, është duke  prodhuar vetëm varfëri dhe skamje. A nuk është shembull i kësaj dhe i paperspektivës që është krijuar, edhe rasti i lumit Tisa, ku gjetën vdekje disa shqiptarë. Madje, në mesin e tyre, kishte edhe gra e fëmijë.

Kosova nuk është pronë private e askujt. Pothuajse të gjitha raportet vjetore të deritashme  të Këshillit të Evropës dhe të UNDP-së, janë më shumë negative se sa pozitive për gjendjen në Kosovë, ndërsa këto raporte, për çudi, komentohen si të favorshme për Kosovën  nga institucionet tona shtetërore. Ne raportin e fundit të UNDP-së, thuhet se shumë është luhatur besueshmëria e qytetarëve në institucionet shtetërore edhe në EULEX, dhe se gjendja e rëndë ekonomike mund ta rrezikojë stabilitetin në Kosovë. Kjo krizë qeveritare, edhe pse momentalisht e arrnuar disi nga ambasadori Dell, nuk ka jetë të gjatë. Kur meshkujt e një shtëpie kërkojnë me u nda, aty nuk ka më bashkallak, thotë një fjalë e popullit. Kjo Qeveri me gjasë do të mbetet vetëm deri në vitin 2010, kur edhe do të ndodhin zgjedhjet e parakohshme nacionale. Kryeministri Thaçi nuk di se si ka mundur të deklarojë se nuk ka struktura ilegale serbe, kur dihet se ato ka kohë që funksionojnë të papenguara nga askush. Kësaj gjendjeje të krijuar, siç e kemi potencuar shumëherë deri më tash, i ka kontribuar edhe administrata mamuthe e UNMIK-ut dhe Rezoluta famoze1244, e cila nuk u shfuqizua edhe pas jetësimit të pavarësisë së Kosovës nga Bashkësia Ndërkombëtare.

Nëse faktori ndërkombëtar i vlerësoi pozitivisht zgjedhjet lokale, vetëm pse ato ishin kryesisht të qeta, nuk do të thotë se  ishin legjitime, kur dihet se afro 45 përqind të popullatës nuk doli në zgjedhje. Shfaqja e kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit tashmë janë bërë gangrenë e shoqërisë sonë. Me krimin dhe korrupcionin, si barrë, Kosova vështirë se do të inkuadrohet edhe për një kohë të gjatë në strukturat evropiane. Prandaj, ka ardhur koha për ndryshime përmbajtësore në të gjitha  fushat e jetës, nëse ia duam të mirën atdheut dhe kombit. Kthesat pozitive politike për një mirëqenie më të mirë shoqërore, janë më se  të domosdoshme . Sa do të zgjasë kjo agoni e këtij populli, mbetet të shihet…

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›